TORINO, 11 gusht 2013 – Konflikti mes bandave shqiptare dhe rumune për territorin e shitjes së drogës ka përfunduar me armë gjatë pasdites së djeshme në Torino të Italisë.

Tre shqiptarë kanë hyrë në një lokal në rrugën “Francia”, të lagjes “Madonna di Campagna” dhe kanë qëlluar ndaj dy rumunëve. Nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të plagosur rëndë dy shtetasit rumunë, Lucian Vasile Cojacaru – 27 vjeç, dhe Teodor Cornel – 35 vjeç.

Ngjarja e rëndë, e ngjashme me një luftë bandash, ka vënë në lëvizje policinë italiane, të cilët mëngjesin e sotëm kanë arrestuar tre shqiptarët e dyshuar për ngjarjen. Në pranga kanë rënë Florian Popa – 24 vjeç, Armand Teta – 29 vjeç dhe Saimir Cereneci – 30 vjeç.

Sipas policisë, personi që ka hyrë në lokal për të bërë ekzekutimin e dy rumunëve është Florian Popa. Ndërsa Teta dhe Cereneni, të dy me pecedentë penal për shpërndarje droge në Itali, kanë qëndruar në hyrje të lokalit për të kontrolluar lëvizjet nga jashtë.

Identifikim i tyre, sipas policisë italiane është bërë me anë të filmimeve që ka pasur lokali ku ndodhi ngjarja. Gjithashtu, pistoleta që i është sekuestruar Papës është e njëjtë me atë që ka bërë qitjen kundër dy rumunëve.