DURRËS, 9 gusht 2013 – “Derrat e gjejnë ushqimin në vend-depozitimin e plehrave / hale pranë Durrësit (Schweine finden ihre Nahrung auf der Müllkippe in der Nähe von Durres)”, ky është teksti shoqërues i fotos së portalit të famshëm gjerman DW (shih faksimilen) në seksionin gjermanisht. Është një reportazh që titullohet “Shqipëria po zhytet në plehra” (Albanien versinkt im Müll). Vend-depozitimet e plehrave përcaktojnë peizazhin në Shqipëri, thuhet në shkrim. Vendi importon mbeturina, gjoja për riciklim. Vend-depozitimet e plehrave mbulojnë edhe brigjet e lumit e shihen kudo – në periferi të kryeqytetit Tiranë, në qytetin portual të Durrësit ose në veri të vendit në Shkodër. Në qytetin portual të Durrësit nuk ka absolutisht asnjë landfill të rregullt. Mbeturinat e më se 200.000 banorëve depozitohen në fushën ngjitur. Derrat dhe dhitë sorollaten nëpër grumbujt e mbeturinave dhe në kërkim të ushqimit. Shirat i dërgojnë ndotësit në det, shkruhet në këtë reportazh që vazhdon me problemet në Tiranë dhe Shkodër.
Info
Për problemin e vend-depozitimit të plehrave “Dyrrah”-u ka botuar, më 6 qershor 2013 vëzhgimin me titull “Plehrat e Durrësit, mishmash i Olldashit dhe Berishës”. Po ribotojmë një fragment: “Plehrat e Durrësit budallallepsin edhe vartësit e ministrit Sokol Olldashi, i cili mendjen e ka në Fier, por edhe nëpunësit e Kryeministrit Sali Berisha, që merren me tenderë. Nëse dikush dëshiron të “shijojë” shkrehjen e administratës qeveritare në këtë kohë fushate elektorale, mjafton t’i hedhë një sy buletinit nr. 22 datë 3 qershor 2013 të Agjencisë së Prokurimit Publik në rastin e njoftimeve kontradiktore të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, ku nuk merret vesh se çfarë do të bëhet me shërbimin e këshillimit për një projekt për mbylljen e fushës së plehrave të Durrësit në ish-kënetë. Në faqen 158 thuhet se Ministria e Punëve Publike dhe Transportit do të prokurojë “shërbim konsulence” për një “Studim projektim për mbylljen e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta Durrës”. Sipas këtij njoftimi, tenderi do të zhvillohet më 12 qershor 2013, ora 12. Ndërkohë, po në këtë buletin, në faqen 428, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit me titullar dhe nënshkrues Sokol Olldashin dhe Agjencia e Prokurimit Publik në varësi të Kryeministrit Sali Berisha, thonë të kundërtën: “anulimin e procedurës së prokurimit… Shkak… është hedhja gabim e datës së hapjes për pranimin e ofertave”! Por “gallata” nuk përfundon këtu, pasi në faqen 461 shkruhet: “Data e zhvillimit të tenderit 12.06.2013, ora 12:00. Arsyeja e anulimit ka të bëjë me hedhjen gabim të datave në sistemin e prokurimit publik”. Me këtë mishmash nuk merret vesh nëse tenderi do të zhvillohet apo jo. Këtu nuk po ndalemi në faktin pse shpallen tenderë publikë 11 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





