Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë dhe s’është publikuar. 

Pas daljes në opozitë, Partia Demokratike nuk do të ketë vetëm kryetarin e ri, por edhe selinë e re. Në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Ministrave, një prej mbledhjeve të fundit që ky kabinet bën përpara se në shtator të vijë qeveria e re, është miratuar një vendim që godina e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë t’i kalojë në pronësi Partisë Demokratike. Vendimi nuk është botuar as gjatë ditës së djeshme në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. 

Sipas praktikës së mëparshme për të njëjtën natyre vendimi, akti propozohet nga ministri i Brendshëm dhe si bazë ligjore është ligji “Për partitë politike” i 17 shkurtit 2000. Nga ana tjetër, në dijeni të këtij vendimi është edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila me një vendim të 21 janarit 1999 ka në pronësi Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Pas miratimit të vendimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave do të pritet botimi i aktit në Fletoren Zyrtare dhe pas 15 ditësh ai hyn zyrtarisht në fuqi. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur do të nisin punimet për shndërrimin e ambienteve të brendshme të kësaj godine në zyra pune për zyrtarët e Partisë Demokratike. 

GODINA E RE 
Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, një godinë e ndërtuar në kohën e regjimit komunist ka një hapësirë shumë më të madhe se selia aktuale e Partisë Demokratike. E vendosur vetëm pak metra larg selisë blu, ajo gjendet pranë godinës së Parlamentit. Një tjetër objekt që do të jetë afër selisë së re të Partisë Demokratike është edhe Xhamia e Namazgjasë, punimet për të cilën sapo kanë nisur. Ndërkohë që qeveria ka miratuar vendimin për godinën e re të PD-së, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me godinën aktuale të kësaj force politike, në të cilën demokratët janë të akomoduar që pas zgjedhjeve të përgjithshme të 22 marsit 1992. 

9 gusht 2013 – Kjo godinë u rikonstruktua pak para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ku zyrat u bënë të gjitha të reja. Pas publikimit të këtij vendimi pritet të shihet edhe se cili do të jetë qëndrimi zyrtar i Partisë Socialiste dhe qeverisë së re të pas 9 shtatorit. I vetmi që ka dalë publikisht dje lidhur me këtë vendim ka qenë deputeti i PS-së, Erjon Braçe, ndërkohë që dihet tashëm qëndrimi i selisë rozë lidhur me privatizimet që ka ndërmarrë qeveria në ikje. Edi Rama dhe deputetët e PS-së janë shprehur për një kontroll të të gjithë dokumentacionit për secilin privatizim të qeverisë së koalicionit të djathtë.
PD me 5 seli, e para në shtëpinë e Pashkos
Shtëpia Qendrore e Ushtrisë do të jetë “shtëpia” e pestë që përdor Partia
Demokratike në 23 vjet të jetës së saj që nga krijimi në dhjetor 1990. Ditët e para të jetës së saj, kur ende në vend ishte i vendosur regjimi komunist,
themeluesit e Partisë Demokratike e zhvilluan aktivitetin e tyre në disa nga
dhomat e godinave të Qytetit Studenti dhe në shtëpinë e Gramoz Pashkos. Në këto ambiente ata nuk qëndruan më shumë se dy javë për shkak se në fund të dhjetorit 1990 u vendosën në një vilë dykatëshe në rrugën “Fortuzi”.
Edhe në këtë ambient Partia Demokratike nuk qëndroi shumë gjatë. Në shkurt
1991, gjatë trazirave politike në vend, PD-ja mori një godinë në Rrugën e Kavajës, ku në kohën e Ahmet Zogut ishte vendosur Ambasada e Bullgarisë
dhe gjatë kohës së regjimit komunist kanë qenë zyrat e Institutit
të Monumenteve. Gjatë kësaj periudhe u diskutua ideja që partitë t’i merrnin
selitë me qera dhe të paguanin në varësi të numrit të përgjithshëm të votave që do të merrnin në çdo proces zgjedhor. Por kjo mbeti vetëm një ide, pasi nuk u materializua asnjëherë. Lëvizja e fundit e demokratëve ishte në vitin
1992. Pas fitores së zgjedhjeve të para pluraliste në vend, më 22 mars, Partia Demokratike, tashmë në qeveri, mori godinën ku qëndron ende sot, në
qendër të Tiranës, pranë Bashkisë dhe Ministrisë së Brendshme. Selia aktuale është edhe “shtëpia” më jetëgjatë e demokratëve. Në këtë godinë demokratët kanë drejtuar forcën e tyre politike në disa prej ngjarjeve të rëndësishme
të vendit, si trazirat e vitit 1997 dhe rikthimi i tyre në pushtet pas tetë vjetësh, në 3 zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005. 

/panorama/