TIRANË, 9 gusht 2013 – Në malet e Vlorës, në territorin që përfshin fshatin e Kuçit (shih shigjetën e gjelbër në foton satelitore), ashtu si dhe herë të tjera, në afërsi të të njëjtit vend, janë regjistruar lëkundje të lehta toke. Departamenti i sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Universitetit publik Politeknik të Tiranës njofton se më 9 gusht 2013, ora 1:23:12 GMT ose ora 3:23:12 (koha e Shqipërisë), ka rënë një tërmet i lehtë me magnitudë M=2.3, me epiqendër në thellësinë 7 km, 10 km në vijë ajrore në verilindje të qytetit të Himarës, në koordinatat 40.16°N, 19.84°E (shih hartën nr. 1, pika e kuqe). Gjithsesi, nuk kishte pse merrej si pikë referimi qyteti i Himarës, duke dhënë një distancë 10 km, pasi ngjarja sizmike ka ndodhur në një distancë mbi 30 km në vijë ajrore, në fshatin e Kuçit të komunës së Horë-Vranishtit, në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit, prapa malit ku ndodhet Himara (shih hartën nr. 2 me reliev, shigjeta e gjelbër). Nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.
Info
Komuna Horë-Vranisht ka në përbërje fshatrat Bolenë, Kallarat, Kuç, Tërbaç, Vranisht, Qafa e Limit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





