TIRANE,9 gusht 2013 – Prishen 8 baraka të tjera të romëve pranë “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë. Dy ditë më parë Drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, ka dhënë një urdhër për pezullimin e vendimit për largimin e 37 familjeve rome nga kjo zonë. Situata erdhi pas takimit të Avokatit të Popullit me ndërkombëtarët, të cilët u shprehën shumë të shqetësuar për këtë çështje.
Sipas burimeve, në urdhrin e Burgaj shkruhet se; Nuk do të lejojmë asnjë dëbim të familjeve romëve. Firma ndërtuese nuk do lejohet të ndërmarrë asnjë veprim pa u sqaruar situata, pa pasur titull ekzekutiv të Përmbarimit dhe leje mjedisore nga Bashkia”.
Megjithatë, sot ka vijuar prishja e barakave ku banojnë familjet rome. Përfaqësues të Avokatit të Popullit theksojnë se ka pasur sërish presione ndaj romëve, ndërsa i bëjnë apel policisë që të procedojë ata që kërcënojnë romët në këtë zonë.
“Policia të jetë prezente në këtë zonë dhe të ndërpresë veprime të tjera të paligjshme.”- shprehen përfaqësuesit e Avokatit të Popullit.
Ndërkaq, Avokati i Popullit në takim me ndërkombëtarët disa ditë më parë i drejtoi disa kërkesa shtetit, kërkesa të cilat u mbështetën dhe nga të huajt. “Policia e shtetit të ndërhyjë dhe të shmangë këtë situatë paligjshmëria që po vijon në terren mbi romët. -Zgjidhja e problemit të realizohet nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor ku palë të jenë dhe romët -Institucione ligjore të jenë garant për zhvillimin e një procesi të rregullt -Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të punojë në mënyrë urgjente për të trajtuar çështjen për strehimin e familjeve rome”, tha Totozani.
Nga ana e tij ambasadori Wilton theksoi se OSBE-ja është mjaft e shqetësuar për situatën e krijuar me komunitetin rom në Tiranë. Ai kërkoi që institucionet shtetërore të marrin parasysh kërkesat e Avokatit të Popullit në drejtim të romëve.
/balkanweb/





