8 gusht 2013- Tashmë pronare  e  “ARMO” është një kompani e re dhe një administrator i ri. Nga të dhënat e publikuara në QKR për kompaninë “ARMO” rezulton se veprimet e fundit janë kryer më datë 8 gusht, prej ku është larguar administratori Rezart Taçi dhe në vend të tij është caktuar Fation Veizaj. Po ashtu janë larguar dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës Gramoz Taçi, Drita Aliçka, Selfo Kapllani dhe Mustafa Taçi, të cilët janë zëvendësuar nga Ibrahim Hastopalli, Laurence Stroch, Abe Halati dhe avokatja e njohur Erinda Ballanca, të cilët janë konfirmuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.Kompania “ARMO” që në momentin e privatizimit, pesë vjet më parë, është vënë në pronësi të kompanisë “Anika Mercuria Refinery Associated Oil”, e cila zotëron 85% të aksioneve të rafineris, por që në 8 gusht janë  kryer ndryshime të pronësisë. Në këtë kompani rezulton që të jetë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës avokatja Erinda Ballanca, e cila një vit më parë ka përfaqësuar Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit në padinë që kjo e fundit kishte bërë kundër Rezart Taçit.Përfshirja e avokates Erinda Ballanca, është për momentin e vetmja arsye që përforcon zërat e përhapur në media se “ARMO” tashmë është në pronësi të një kompanie azerbajxhanase. Nëse është kështu, duhet parë nëse “ARMO” është shitur dhe cili është çmimi i shitjes së kompanisë, apo është falur si peng për moskthimin e parave azerëve nga biznesmeni Rezart Taçi.

 

/sotnews/