DURRËS, 8 gusht 2013 – Sportisti durrsak i mundjes se lirë Erion Stojani ka zënë vend nderi në garat e zhvilluara në Greqi me ekipet ndërkombëtare, ku morën pjesë moshat e reja të këtij sporti të para-të-rinjve. Pas një jave aktiviteti në këtë sport në Arkadias të Peloponezit, ai është nderuar me diplomë nderi për fitoret që ka realizuar me mundësit rusë, grekë dhe azerbajxhanas nga këshilli sportiv i eventit. Veprimtaria ka përfunduar me 4 gusht dhe në përfundim u ndanë diplomat e nderit si dhe medaljet përkatëse dhe kupa e aktivitetit. Këto trofe i ka sjellë në Durrës mundësi 16-vjeçar Stojani, i cili ka arritur të rikuperojë shumë shpejt dëmtimin e gjurit në stërvitje gjatë zhvillimit të kampionatit evropian të kadetëve në Malin e Zi, në mars të këtij viti.

“Dyrrah”-u ka siguruar fotot ekskluzive të ndarjes së trofeut të kësaj veprimtarie si dhe diplomën e nderit të dhënë nga kreu i jurisë Qiriako Kostandinos Karajanos. Mundësi i talentuar Erion Stojani ka fituar vendin e parë në kampionatin e kombëtar të para-të-rinjve më 26-27 prill 2013 në stilin e lirë si dhe vendin e parë në kampionatin e kombëtar të para-të-rinjve më 12-13 qershor po të këtij viti. Në këtë kampionat ai është shpallur edhe sportisti më i mirë i kampionatit. Në Greqi u dallua për formën e mirë sportive dhe frymën e garës për ta përfaqësuar vendin e tij me sa më shume dinjitet dhe solli në Durrës trofeun e fitimtarit, kupën, si dhe medaljen përkatëse.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/