DURRËS, 8 gusht 2013 – 80-88 dhe 80-96 decibelë nga 50-55 db norma, çfarë zhurme e llahtarshme nga muzika në lokalet e shumta anës detit dhe në plazhet e Durrësit, ky është rezultati i monitorimit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Madje, një tabelë mbi nivelin e zhurmave në qytetin bregdetar (shih foton poshtë), tregon se edhe në rrugët e mbingarkuara me trafik ka tejkalim të normave, arrihet edhe deri në 85-90 db, ndërsa në Urën e Dajlanit zhurma është më e “moderuar”: 69-74 db nga 50-55 që është norma. ISHP-ja thotë se edhe 30 metër larg lokalit me muzikë të lartë, zhurmat janë 26 njësi më shume se të lejuarat. Këto fakte e bëjnë Durrësin, qytet rekordmen për praninë e ndotjes akustike në stinën verore. ISHP-ja veçon vetëm Gjirin e Lalzit, ku mund të flitet për nivel të zhurmave brenda standardeve. Por dëmtimi nga ndotja akustike shkon deri në shurdhim, nëse personat rrinë për një kohë të gjatë në prani të zhurmave.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





