8 gusht 2013 – Ëndrra e një nate vere është bërë realitet. Kukësi ka kaluar edhe turin e tretë në Ligën e Europës, duke habitur të gjithë pjesëmarrësit në kupat në Europës. Asnjë ekip shqiptar më parë nuk kishte arritur të kalonte tre ture, por ja që kuksianët e kanë bërë realitet. Edhe pse janë mundur 0-1 nga Metalurg Donjecku i Ukrainës, falë fitores 2-0 në Tiranë në ndeshjen e parë, Kukësi arrin të kualifikohet për në “play-off” të Europa League. Djemtë e drejtuar nga Cungu e kanë mbrojtur fort rezultatin e ndeshjes së parë, madje për shumë minuta kanë luajtur me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të Malindit. Portieri Halili sërish në fund të ndeshjes ka bërë mrekullinë, duke shpëtuar dy herë portën. Pas gati 7 minutave shtesë, futbollistët dhe i gjithë stafi kuksian kanë shpërthyer në festë, teksa kanë ngritur në krahë trajnerin Armando Cungu, arkitektin e këtij triumfi, duke gëzuar edhe të gjithë shqiptarët për këtë sukses historik. Të premten në orën 12 do të hidhet shorti i turit tjetër, ku dy skuadrat shqiptare, Skënderbeu dhe Kukësi, do të kërkojnë të bëjnë një tjetër mrekulli, të kalojnë në grupet e Ligës së Europës, edhe pse do të jetë tejet e vështirë. Fundja përse mos besojnë…

/balkanweb/