17 gusht 2013 – Në fjalën e tij, gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri Sali Berisha është shprehur se ligji për TVSH, që kundërshtohet nga të majtët, është përgatitur nga specialistët më të mirë të fushës dhe ka shkallën më të lartë të ekspertizës.“Një ligj themelor është ai i TVSH,  i cili është përgatitur prej kohësh dhe një punë e madhe është bërë nga specialistët tanë të kësaj fushe dhe nga specialistët ndërkombëtar të kontraktuar. Ligji ka shkallën më të lartë të ekspertizës”, tha Berisha duke shtuar se i takon Parlamentit të ri që ta votojë.Gjithashtu kryeministri Berisha sulmoi edhe mazhorancën e re sa i përket programit të saj për universitetet. Sipas tij, platforma e qeverisë së re do të kundërshtohet nga Partia Demokratike në Parlament. “Kuotat e universiteteve do të shkojnë në përputhje me programin e kësaj qeverie “me dyer të hapura për çdo të ri për të provuar ëndrrën universitare dhe për ta bërë realitet. Ne do ta kundërshtojmë në mënyrë demokratike platformën e re dhe do të bëjmë gjithçka që të rinjtë të ulen në bankat e universiteteve. Alternativa jonë është ajo e dyerve të hapura për të rinjtë” tha Berisha.