DURRËS, 7 gusht 2013 – Ndeshjen e kthimit Metallurg-Kukësi do ta gjykojë një punonjës i ministrisë turke të Tregtisë së Jashtme. “Dyrrah”-u mësoi se komiteti i gjyqtarëve i UEFA-s shpalli listën e gjyqtarëve për ndeshjen e kthimit të Europa League Metallurg Doneck (Ukrainë)-Kukësi. Ndeshja në Doneck do të drejtohet nga Bylent Jëlldrëm (Bülent Yıldırım), 41 vjeç, arbitër i FIFA-s. Anësorë – Serkan Gençerler (Gencherler) dhe Ekrem Kam. Gjyqtari i katërt – Mustafa Ilker Koskun. Delegat i UEFA-s – Roland Ospelt (Lihtenshtajn). Vëzhgues – Mirosllav Radoman (Serbi).
Info
Bylent Jëlldrëm-i u lind më 1 mars 1972. Jeton në Ankara. Z. Jëlldrëm mban një post të lartë e të rëndësishëm në administratën e qeverisë së Ankarasë: është shef i departamentit të auditimit në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme të Turqisë. Përveç gjuhës amtare, turqishtes, flet anglisht dhe spanjisht. Statusin e gjyqtarit të FIFA-s e ka marrë qysh në vitin 2009. Ka drejtuar ndeshje të Europa League që prej sezonit 2008-2009, ndeshjet e Champions League që nga sezoni 2010-2011. Bylent Jëlldrëm-i ka përvojë të mëparshme me skuadrat shqiptare dhe ukrainase. Ka drejtuar në Europa League2009-2010 Vllaznia – Rapid (Austri) – 0:3; në Europa League 2010-2011 Sevilla (Spanjë) – Karpaty (Ukrainë) – 4:0. Bylent Jëlldrëm-i ka gjykuar gjithsej 28 ndeshje ndërkombëtare.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





