TIRANE,7 gusht 2013 -Në shumicën e rasteve uji i pishinave është i papastër dhe përbën një rrezik të lartë për hapjen e infeksioneve të ndryshme në popullsi. Sipas një kontrolli të ushtruar nga Instituti i Shëndetit Publik, mbi 30% e pishinave që funksionojnë në kryeqytet kanë rezultuar me probleme, në pjesën më të madhe të tyre kanë rezultuar me mungesë të sasisë së domosdoshme të klorit, ndërsa në tre prej tyre ka pasur ndotje bakteriale. Kreu i këtij instituti, Adrian Hoxha ka sqaruar se kontrollit të ISHP-së i janë nënshtruar 35 pishina në Tiranë. Pishinave i drejtohen me qindra qytetarë për t’i shpëtuar temperaturave përvëluese sidomos të muajit gusht, por ndërkohë që paguajnë çmime të kripura për të pushuar, marrin me vete edhe infeksione nga më të ndryshmet. 



Kontrolli & Ndotja 
Me rritjen e temperaturave dhe në pamundësi për të frekuentuar detin, shumë qytetarë u drejtohen pishinave. Ndonëse pagesat për të hyrë në pishina fillojnë nga 800 lekë për person, por kundrejt pagesave kaq të larta shërbimi dhe higjiena që ofrohet lë shumë për të dëshiruar. Të etur për fitime pronarët e tyre neglizhojnë kujdesin për higjienën dhe mirëmbajtjen e pishinave, duke i shndërruar ato në burim infeksionesh për qytetarët. Pushuesit që frekuentojnë pishinat paguajnë çmime të majmura, në një pjesë të tyre nuk lejohet të merren as ushqime apo pije për t’u konsumuar, duke i detyruar qytetarët që çdo gjë ta blejnë në baret dhe lokalet që ndodhet pranë pishinave. Por për infeksionet që marrin pushuesit nga ndotja e ujit të padezinfektuar të pishinave nuk përgjigjet kush. Gjatë muajit korrik, Instituti i Shëndetit Publik ka monitoruar 35 pishina në Tiranë, ku prej të cilave 10 kanë rezultuar me probleme. “Nga monitorimi që u është bërë 35 pishinave në Tiranë, rezultoi që shtatë prej tyre ishin pa klorin e nevojshëm dhe tri pishina kishin tregues të ndotjes bakteriologjike”, tha Adrian Hoxha, drejtor i ISHP-së. Më problematike situata bëhet në fundjavë, pasi pjesa dërrmuese e pishinave të kryeqytetit janë të mbipopulluara. Parametrat e kapaciteteve të një pishine, 1 person për 2 metra kub ujë, nuk respektohen jo vetëm në fundjavë por edhe gjatë ditëve të tjera. 



Higjiena 
Sipas mjekëve, problem nuk është vetëm mungesa dezinfektimit të ujit të pishinave, por edhe mungesa e pehashit të ujit, pasi dozat e klorit nuk duhet të hidhen pa ditur sasinë e ujit. Pasi edhe klori, i cili është element kimik në vetvete kur është në sasi të larta dëmton lëkurën. Por veç këtyre mangësive, problem janë edhe vetë qytetarëve, të cilët nuk bëjnë kujdesin e tyre për higjienën personale. “Përpara se të futemi në pishinë, duhet patjetër që të bëhet një shpëlarje e trupit. Kjo vlen edhe për nënat, të cilat fusin fëmijët e tyre në pishinë, që fëmijët të jenë të higjienizuar, të mos kenë mbetje të jashtëqitjeve të tyre. Të ndërgjegjësohen për faktin që nuk duhet të kryejnë nevojat e tyre personale brenda në pishinë, të mos urinojnë në pishinë. Urinimi bart me vete edhe risqe të shumta, të cilat fillojnë nga një sërë bakteresh që ndodhen në organizimin tonë”, sqarojnë mjekët.

/balkanweb/