DURRËS, 6 gusht 2013 – Agjencia e lajmeve “Dyrrah” mësoi në MTKRS se më datë 2 gusht 2013 në mesditë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, poeti i shquar gjysmë-durrsak Visar Zhiti priti në takim muzikologun e madh italian Domeniko Morgante, i shoqëruar nga muzikologu durrsak Edmond Buharaja dhe akademiku Vasil S. Tole. Me emrin e Morgantes lidhet zbulimi në vitin 1977, në arkivat muzikore të Kishës Katolike në Monopoli-Itali, i “Antifonarit të LAPACAJES”, kompozitor dhe matematikan i shquar me origjinë shqiptare, i shekullit XVI-të, viti 1523, nga “qyteti imperial i Durrësit”-siç i pëlqente të thoshte e shkruante vetë Lapacaja në botimet e tij. Fotokopje e këtij dorëshkrimi i është dorëzuar në vitin 1995 muzikologut Ramadan Sokoli, i cili mbështetur në to realizoi në vitin 2000 botimin: “Antifonari i Danush Lapacajës”. Ministri Zhiti falënderoi muzikologun italian për këtë shërbim të çmuar që i ka bërë kulturës shqiptare e më gjerë dhe shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të parë në Shqipëri. Nga ana e tij, Morgante shprehu vlerësimin më të lartë që ju bë nga qyteti i Durrësit si dhe nga pritja e ofruar bujarisht nga MTKRS-ja. 3 pjesë nga “Antifonari” i Lapacajës u interpretuan më 1 gusht 2013 si "Premierë Botërore" në mjediset e amfiteatrit të Durrësit, në hapje të “Bienales muzikore të Durrësit”, nga kori i Filarmonisë së Prishtinës i drejtuar nga dirigjenti dhe kompozitori i njohur Rafet Rudi. Së shpejti pritet botimi filologjik i plotë i kësaj vepra të shquar të trashëgimisë sonë kulturore, e shoqëruar edhe me CD-në përkatëse.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/