“Lindi” në Poloni, jetoi 36 vjet në Shqipëri dhe nëpër porte të botës, “vdiq” në Turqi
Foto kryesore: 22 nëntor 1997. Anija “Durrësi” e sapo-bregëzuar për skrap në kantierin Aliağa të Turqisë.
DURRËS, 6 gusht 2013 – Një anije avullore me emrin “Durrësi” përfundoi për skrap në “vitin e mbrapshtë” 1997. I blerë i ri, i sapondërtuar në vitin 1961 në kantierin detar “Stocznia Gdanska im. Lenina Gdansk”, në Poloni, “Durrësi” ishte një nga mjetet lundruese kryesore të flotës tregtare shqiptare në vitet 1960-1970.Mori emër dhe për faktin se në vitin 1967, me kapiten Haxhi Shehun, kreu për herë të parë lundrimin e gjatë për në Kubë, dhe kështu me radhë në linja të tjera në më shumë se 13 vende të botës.Në foto-arkivat ndërkombëtare anija është fiksuar disa herë. “Dyrrahu” po publikon 5 foto.Njëra (bardhezi) i takon vitit 1967, realizuar nga Hans-Vilhelm (Wilhelm) Delfs, kur “Durrësi” po kalonte nëpër Rendsburg/Kiel-Canal. Rendsburg-u është një qytet mbi lumin Ajder (Eider) dhe Kanalin e Kil-it (Kiel Canal) në pjesën verilindore të landit Shlezvig Olshtajn (Schlesëig-Holstein), Gjermani. Një moment i kalimit në po këtë kanal është fiksuar dhe në një foto me ngjyra, realizuar më 3 mars 1968 nga Mihael Najdig (Michael Neidig).Në lumin e Elbës është fiksuar në vitin 1975 në një fotografi bardhe e zi nga Gerolf Drebes.Pas vitit 1992 anija “Durrësi” u privatizua. Ndërkohë, mosha e madhe, fakti që ishte me avull, e vështirësonte jo vetëm lundrimin, por nxirrte probleme nëpër porte të ndryshme, kur u nënshtrohej kontrolleve dhe penalizimeve.Me sa duket, pronarët e panë të leverdishme ta shisnin për skrap. Kaloi në pronësi të kompanisë turke Iska Metal, që kishte një kantier copëtimi të anijeve në portin Aliağa, rreth 50 km në veri të Izmirit.Sipas regjistrave ndërkombëtarë anija u bregëzua për copëtim më 21 nëntor 1997. Është fotografuar më 22 nëntor 1997 nga Selim San, në pritje të demolimit. Por ekziston dhe një foto tjetër në dhjetor 1997 e të njëjtit autor. Ai shënon se ende dukeshin qartë gjurmët e një zjarri që kishte përfshirë “Durrësin”. Historia e kësaj anijeje mitike të flotës tregtare shqiptare mbyllet në fund të “vitit të mbrapshtë” 1997.
Info
Shenja e thirrjes: ZADD. Numri i IMO-s: 5095153. Doli nga kantieri në vitin 1961. Iu shit Shqipërisë në vitin 1961. Ndërtues: “Stocznia Gdanska im. Lenina”, Gdanjsk, Poloni. Numri mbi skaf: B31/72. Tipi i anijes: për mallra gjenerale. Kapaciteti: 3,804 tonë. Pesha e anijes: 1,925 tonë. Gjatësia: 108.01 metra. Gjerësia: 14.61 metra. Thellësia: 8.01 metra
Tekstet për fotot poshtë:
1. Viti 1967. “Durrësi” nëpër Rendsburg/Kiel-Canal (Gjermani)
2. 3 mars 1968. Sërish “Durrësi” nëpër Rendsburg/Kiel-Canal (Gjermani)
3. Viti 1975. “Durrësi” duke lundruar në lumin Elba, Gjermani
4. Dhjetor 1997. “Durrësi” në kantierin e skrapit Aliağa të Turqisë, duken gjurmët e zjarrit që kanë përfshirë anijen.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





