TIRANË, 6 gusht 2013 – Temperaturat e larta në Shqipëri do të vazhdojnë dhe në 6 ditët e ardhshme, me shpresë zbritjen e tyre pas datës 12 gusht, sikurse del nga njoftimi i Departamentit të Klimës dhe Mjedisit në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit pranë Universitetit publik Politeknik të Tiranës.
Situata sinoptike (figura nr. 1)
Në figurën nr. 1 paraqitet situata sinoptike e parashikuar për datën 6 gusht në orën 00. Nga kjo pamje vërehet se kontinenti evropian ndikohet nga periferia e një fushe me presion atmosferik të lartë, e cila përfshin edhe gadishullin e Ballkanit (inicialet: L “low” presion i ulët, H “high” presion i lartë).
7 gusht 2013 (figura nr. 2)
Gjatë kësaj dite do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të pakta në orët e mesditës. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri 15 km/orë, nga veriperëndimi. Temperaturat ekstreme pritet të luhaten: në vendet malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 18, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 30 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale do të zbresin deri në 21, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 37 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 21 ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 35 gradë celsius.
8 gusht 2013 (figura nr. 3)
Gjatë kësaj dite do të vazhdojë të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të pakta në orët e pasdites në zonat malore. Era do të fryjë e lehtë, ne bregdet deri 15 km/orë, nga veriperëndimi. Temperaturat ekstreme pritet të luhaten: në vendet malore temperaturat minimale do të zbresin deri në 18, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 31 gradë celsius; në vendet e ulëta temperaturat minimale do të zbresin deri në 21, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 37 gradë celsius; në bregdet temperaturat minimale do të zbresin deri në 21 ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 35 gradë celsius.
9-12 gusht 2013 (figura nr. 4)
Situata sinoptike e parashikuar për datën 9 gusht në mesditë, që jepet në figurën nr. 4, tregon për ndikimin e një fushe me presion atmosferik të ulët mbi rajonin e Ballkanit. Kjo situatë favorizon ardhjen e masave ajrore më të freskëta (inicialet: L “low” presion i ulët, H “high” presion i lartë). Në fundjavë, pritet të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash, më të dendura në orët e mesditës, të shoqëruara edhe me reshje lokale, kryesisht në zonat malore dhe ato afër tyre. Temperaturat maksimale do të luhaten: në vendet malore nga 25-28 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 31-34 gradë. Temperaturat minimale do të luhaten: në vendet malore nga 13-16 ndërsa në zonën e ulët dhe bregdet nga 16 deri në 19 gradë. Era do të fryjë e lehtë, në bregdet deri mesatare, në përgjithësi nga veriperëndimi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





