TIRANË, 6 gusht 2013 – Dy tërmete, më 5 dhe 6 gusht 2013, në afërsi të njëri tjetrit kanë goditur veriun e qytetit të Elbasanit. Lëkundjet e tokës më 6 gusht 2013, janë regjistruar nga rrjeti sizmologjik shqiptar në orën 1:1:31 GMT ose 3:1:31 (koha e Shqipërisë). Ai ka pasur magnitudë M=2.5, epiqendra ndodhej në thellësinë 16 km. Sipas universitetit publik Politeknik, vendndodhja e tij ishte 8 km në vijë ajrore në veriperëndim të qytetit të Elbasanit (shih hartën nr. 1, pika e kuqe). Bazuar në hartën egoogle earth-it dhe foton satelitore (shih hartën 2 dhe foton, shigjeta e gjelbër) ngjarja sizmike në koordinatat 41.17°V, 20.02°L, është lokalizuar në lartësinë 550 metra mbi nivelin e detit, në një zonë malore në afërsi me Kërrabën e Vogël. Kurse tërmeti i mëparshëm, më 5 gusht 2013, ora 6:11 GMT ose 8:11 (koha e Shqipërisë), me forcë M=2.6, epiqendër në thellësinë 13 km, ndryshon vetëm me 4 gradë në lindje (41.17°V, 20.06°L). Lëkundjet tektonike janë lokalizuar 7 km në veri të Elbasanit, në faqet e kodrës përballë përroit të Zaranikës. Për të dy tërmetet e lehta nuk ka njoftime për viktima dhe dëme materiale.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/