DURRES,6 gusht 2013  -Mbi 100 mijë banorë, pushues e biznesmenë, në zonat turistike nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem, prej 6 ditësh janë pa ujë të pijshëm. Shqetësimi është ngritur masivisht nga biznesi hotelier dhe banorët, të cilët, në pikun e të nxehtit të kësaj vere, kërkojnë rrugëzgjidhje nga Ujësjellësi i Durrësit dhe ai i Kavajës. Zona turistike në fjalë, e mbipopulluar ditët e fundit nga pushuesit, furnizohet me ujë të pijshëm nga rezervuari i Manskurisë, që është në varësi të Ujësjellësit të Kavajës. Një peticion i shqetësimeve të ngritura është firmosur së paku nga 700 persona dhe u është dërguar drejtuesve më të lartë të shtetit, Komunës së Golemit, Ujësjellësit të Kavajës e të Durrësit. Në peticion kërkohet marrja e masave urgjente për furnizimin me ujë të pijshëm, mungesa e të cilit ka sjellë si pasojë uljen drastike të numrit të pushuesve si dhe humbje tepër të mëdha financiare. Të gjithë janë të detyruar ta blejnë ujin me autobote, ndërsa tregtimi i ujit të pijshëm është biznesi më fitimprurës aktualisht në këtë zonë. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Doklead Ademi, deklaron se Ujësjellësi i Kavajës ka mbyllur saraçineskën kryesore të furnizimit me ujë të Shkëmbit të Kavajës, duke shkelur marrëveshjen midis dy ujësjellësve. Kjo, pasi pretendon se nuk janë paguar detyrimet. 



Zoti Ademi, pse zona e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit nuk furnizohet me ujë të pijshëm? 
Ne si drejtori e Ujësjellësit në Durrës, kemi në varësi zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku kemi investuar për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm në këtë zonë. Zona furnizohet me ujë nga rezervuari i Manskurisë, që është në varësi të Ujësjellësit të Kavajës. Por u bë disa ditë që Ujësjellësi i Kavajës ka mbyllur saraçineskën kryesore, duke lënë pa ujë zonën turistike. Ujësjellësi i Kavajës ka shkelur kontratën, ku 25% e sasisë së ujit të prodhuar nga Manskuria i kalonte kësaj zone. 

Po për zonën e Golemit pse është ndërprerë uji? 
Zona e Golemit është në varësi të Kavajës. Edhe në këtë zonë është e njëjta problematikë dhe është faji i Ujësjellësit të Kavajës. Nuk e di ku po e çon ujin, por di të them që situata është kritike dhe e rëndë. 

Si do t’i jepet zgjidhje kësaj situate? 
Kryeinxhinieri i Ujësjellësit të Durrësit ka kontaktuar me Drejtorin e Kavajës dhe kemi gjetur një zgjidhje alternative, që shpresojmë të zbatohet. Sonte (mbrëmë) në orën 22 të mbrëmjes, do të bëhet furnizimi me ujë gjatë natës i zonës së Shkëmbit të Kavajës, ndërsa të martën gjatë ditës do të furnizohet zona e Golemit. Do të bëhet alternimi, por nuk e kuptoj pse erdhi deri në këtë pikë kritike situata nga Ujësjellësi i Kavajës. Nga ky i fundit pretendohet se Ujësjellësi i Durrësit nuk ka paguar faturat. Po nuk është e vërtetë, pasi ne nuk kemi asnjë debi. 

Probleme me ujin e pijshëm ka edhe në qytetin e Durrësit; pse ndodh kjo? 
Sasia e ujit që prodhohet për Durrësin, është për 100 mijë banorë. Popullsia ka shkuar në 350 mijë banorë aktualisht që flasim dhe ka krijuar anomali. Ne po përpiqemi ta menaxhojmë ujin duke shmangur humbjet në rrjet, i cili është i amortizuar. 

Po për zonën e Rrashbullit, ku banorët kanë dy muaj pa ujë, çfarë po bëhet? 
Ajo zonë ka qenë problematike në vite. Ne po investojmë në rrjetin e ri të ujësjellësit, që do t’i furnizojë 24 orë. Besoj që për katër ose pesë ditë investimi përfundon dhe ata do të furnizohen normalisht si të gjitha zonat e tjera. 



/GazetaShqiptare/BalkanWeb/