5 gusht 2013- Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik, kanë bërë apel për qytetarët se duhet të shmangin daljen në rrugë gjatë pikut të vapës, sidomos pas orës 10 deri në 18 pasdite. Ky apel shkon për të gjithë prindërit që kanë maninë të nxjerrin fëmijët e tyre në rrezet e diellit, gjë që është e gabuar, sidomos fëmijët nën 6 muajsh.“Deri në orën 10:00 mund të lejohet që ata të dalin, të lëvizin, të bëjnë një xhiro në ajër të pastër, më tej mund të dalin pas orës 18:00. Kur flas për këto orare kam parasysh moshën e fëmijëve nga 0 në 6 muaj, ndërsa më të rriturit mund të shtyjnë deri në orën 11:00 paradite dhe pas orës 17:00 pasdite. Çadra nuk mjafton, rrezet e diellit depërtojnë edhe në çadër, edhe në veshje, mos mendoni që vetëm një kapele mund t’i mbrojë”, shprehet Nikaj.Danjela Nikaj eksperte për të ushqyerin e fëmijëve në ISHP shpreh edhe një tjetër shqetësim jo më të vogël dhe që lidhet me konsumimin e produkteve ushqimore nga shitës ambulantë. Sipas ekspertes në mënyrë absolute produkte të tilla nuk duhet tu jepen fëmijëve. Në një kohë kur temperaturat e fillim gushtit kanë kapur majat një këshillë për nënat e reja është të ushqyerit e foshnjave vetëm me qumësht gjiri.





