TIRANË,5 gusht 2013 -Krim i rëndë brenda familjes, burri vret gruan dhe më pas veten. Policia dyshon se ngjarja ka pasur si motiv veshtiresite ekonomike te familjes.
Ngjarja e rëndë u shënua sot pak pas mesdite në kryeqytet ne rrugen 'Irfan Tomini'.
Policia bën të ditur se viktimë e dorës së burrit ka mbetur Dallendyshe Jazxhiu e moshës 50 vjeç, ndërsa autor është identifikuar bashkëshorti i saj, shtetasi Edmir Jazxhiu, 51 vjeç. Sipas policisë autori ka vrarë fillimit gruan dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Nga të dhënat e para të policisë, mësohet se krimi është kryer me pistoletë dhe brenda banesës së ciftit.
Nga vendngjarja gazetari Spartak Koka bën të ditur se autori i krimit të dyfishtë, Edmir Jazxhiu punonte herë pas here si shofer kamioni, por jo me një punë të rregullt, ndërsa bashkëshortja e papunë. Çifti ka dy fëmijë, te cilet nuk ndodheshin ne banese ne momentet e krimit.
Personi i parë që ka parë skenën e krimit ka qenë djali i vetëm i familjes dhe më pas është njoftuar dhe vajza.
Motivet
Policia hedh dyshimet e para mbi motivet qe mund te kene shtyre burrin deri ne vendimin ekstrem.
Nga të dhënat e para në vendngjarje policia hedh dyshimet se krimi ka ndodhur për arsye ekonomike. Familja po përballej kohët e fundit me vështirësi ekonomike dhe shkak i grindjes së sotme dhe më të fundit të ciftit, Jazxhiu ka qenë një bursë për studime jashtë vendit që vajza e tyre kishte fituar. Gazetari Koka duke cituar burime të policisë thekson se familja nuk dispononte shumën e parave që vajzës i nevojiteshin për të ndjekur studimet e larta. Sipas policisë, grindja ka pasur kete arsye duke degjeneruar më pas deri në përdorimin e armës nga ana e Edmir Jazxhiut, që fillimisht ka qëlluar me plumba bashkëshorten dhe më pas veten.
Nuk përjashtohen as motive të tjera, por policia po heton mbi cdo pistë të mundshme që mund të hedhë dritë mbi krimin e dyfishtë.
Familja Jazxhi
Bashkëshortët ishin me origjinë nga Korca dhe prej disa kohësh familja jetonte në kryeqytet. Ata rezultonin të martuar dhe kishin 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë, e cila se fundmi kishte fituar nje burse per studime jashte vendit.
Gazetari Spartak Koka mëson nga vendngjarja se Edmir Jazxhiu, 51 vjeç, në vitet 2002-2004 ka punuar si shoqërues i kryeministrit të atëhershëm të vendit, z Fatos Nano. Më pas ia ka punuar me maune si transportues mallrash brenda dhe jashtë vendit. Kjo punë kryhej dhe tani nga Edmir Jazxhiu, por jo me kohë të plotë. Ndërsa bashkëshortja, Dallëndyshja rezultonte e papunë.
/balkanweb/





