5 gusht 2013 – Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e repartit të aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastonin dhe  me Zv.Ambasadorin Italian në Shqipëri, Giuseppe Berlendi theksoi se policia shqiptare dhe italiane janë duke bashkëpunuar dhe monitoruar nga ajri me avionë të specializuar, parcelat e drogës.“Operacioni drejtohet dhe mbështetet nga Italia duke ndikuar dukshëm në rritjen e cilësisë së punës së policisë shqiptare. Nga filmimet ajrore është bërë i mundur fotografimi i të gjitha parcelave në vend dhe zonat më problematike janë Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Tirana dhe Durrësi. Kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla, larg zonave të banimit dhe në zona të thella malore”, u shpreh Burgaj.Ndërsa drejtori i repartit të aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni vlerësoi bashkëpunimin me policinë shqiptare gjatë operacionit të monitorimit nga ajri të parcelave me lëndë narkotike. Bastoni theksoi se një nga zonat më problematike për kultivimin e kanabisit mbetet Lazarati ku sipas tij lënda narkotike mund të arrijë në 900 tonë ndërsa nga vlera e shitjes së saj mund të përfitohet 4.5 miliard euro.Të dy drejtuesit e policive theksuan në përfundim të takimit se qëllimi i tërë këtyre veprimeve është nxjerrja e Shqipërisë nga harta e kultivimit të drogës.

 

/sotnews/