TIRANË, 4 gusht 2013 – Tërmet i lehtë në mesnatën e së shtunës dhe së dielës në zonën ujëmbajtëse të Librazhdit, nga ku del dhe një degë e Shkumbinit. Rrjeti sizmologjik shqiptar, në orën 23:18:32 GMT datë 3 gusht ose ora 1:18:32 (koha e Shqipërisë) datë 4 gusht 2013, ka regjistruar lëkundje toke me magnitudë M=2.5, epiqendra në thellësinë 7 km (shih hartën nr. 1 të Universitetit publik Politeknik të Tiranës). Tërmeti i lehtë është lokalizuar, buzë Shkumbinit përballë rrugës Ura e Lunikut-Floq, aty ku bashkohen dy degë të lumit, në afërsi të fshatrave Allaj (komuna e Lunikut) dhe Floq (komuna e Orenjës), Gizavesh (komuna Librazhd-Qendër), 5 km në vijë ajrore në veri të qytetit të Librazhdit në koordinatat 41.24°N, 20.28°E (shih foton satelitore dhe hartën nr. 2). Nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.
Info
Komuna Orenjë ka nën juridiksion fshatrat Orenjë, Floq, Gurakuq, Ballgjin, Rinas, Zdrajsh-Veri, Zdrajsh, Neshtë, Mexixë, Funars.
Komuna Lunik ka nën juridiksion fshatrat Lunik, Prevallë, Dranovicë, Kostenjë, Letem, Allaj-Zgosht, Koshorisht.
Komuna Librazhd-Qendër ka nën juridiksion fshatrat Librazhd-Qendër, Arrëz, Babje, Dorëz, Dragostunjë, Kuturman, Gizavesh, Librazhd-Katund, Marinaj, Qarrishtë, Spathar, Togëz.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





