Më shtrenjtë lisi (2 700 lekë/mst) e shkoza (2 100 lekë/mst), pastaj shqopa dhe mareja (1 700 lekë/mst)  

DURRËS, 3 gusht 2013 – Doni dru shkoze? E gjeni në Shkozet! Duket paksa e çuditshme që në vapën e muajit të fundit të verës do të shiten dru zjarri. Por me gushtin bashkë ikën dhe vapa, thotë populli. Ndonëse njerëzit në dimrin e butë të Durrësit ngrohen kryesisht me soba elektrike e gaz dhe kondicionerë, gjithsesi shumë familje moderne kanë ndërtuar brenda apartamenteve dhe vilave oxhakë për ngrohje “ekzotike” me dru; ndërkohë piceritë e shumta përdorin furra me dru, gjë që ka shtuar kërkesat për lëndën e pyjeve. Kjo ka bërë që të priten barbarisht pemë apo të lulëzojë kontrabanda. Policia pyjore dhe uniformat blu, në aksionet e zhvilluara në qarkun e Durrësit kanë konfiskuar herë pas here kamionë me lëndë drusore. Drejtoria e Shërbimit Pyjor Durrës do të organizojë më 7 gusht 2013 një ankand për shitjen e 26 metrave kub dru zjarri në zyrat e veta në Shkozet. Për lehtësi, shitja do të jetë e ndarë në tre grupe (lot), sipas llojit. Sasia më e madhe, 16 mst, është lis, pemë “e fisme” dhe më zjarrin më të mirë të prodhuar. Vlera fillestare e të gjithë sasisë është 43 200 lekë, me një çmim mesatar për njësi, llogaritur nga “Dyrrah”-u, prej 2 700 lekë/mst. Shtrenjtë? Në tregun e lirë e të zi e gjeni me dyfishin, sidomos në dimër. Vendin e dytë e zë, për nga cilësia e shkoza (që është futur në shprehjet frazeologjike me kuptimin e rrahjes). Për një sasi prej 5 mst vlera fillestare gjithsej është 10 500 lekë, me një çmim mesatar për njësi prej 2 100 lekë/mst. Loti i tretë janë 5 mst prej shqop e mareje bashkë, vlera fillestare e sasisë është 8 500 lekë, me një çmim mesatar për njësi prej 1 700 lekë/mst. Fakti që shqopa shitet kaq lirë, ka të bëjë dhe më faktin se ky dru kaq i çmuar dikur, nuk përdoret më prodhime artistike (llulla etj.), sepse nuk ushtrohet më ky lloj artizanati me tradita të hershme.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/