Foto satelitore: “Ansambli Babëzia”, me seli në Rezervat Materiale të Shtetit, rruga “Bajram Tusha”, lagja nr. 14 Durrës (pika e kuqe)
DURRËS, 3 gusht 2013 – Të shesësh pa peshë apo pa masë gjatësie, gjë e papërfytyrueshme dhe pabesueshme kjo, por këtë realizon, po të përdorim një shprehje të kryeministrit në larg “Ansambli Babëzia” e Berishës, me seli në Rezervat Materiale të Shtetit në Durrës, rruga “Bajram Tusha”, lagja nr. 14 (shih pikën e kuqe në fotografinë satelitore të Shkozetit). Por lajmi bombë vjen nga një ent publik që varet, madje, nga qeveria. Drejtoria Rajonale e Rezervave Materiale të Shtetit për Durrësin në Shkozet njofton (shihni faksimilen në Agjencinë e Prokurimit Publik më buletinin e 29 korrikut 2013) se organizon një ankand të hapur më 19 gusht 2013, ku do të shiten mallra të ndryshme të konfiskuara nga Drejtoria Rajonale Tatimore dhe Dega e Doganës Durrës, me vlerë fillestare 29.213 lekë. Këtu nuk po ndalemi në paditurinë gjuhësore të një ndërmarrjeje që varet nga Këshilli i Ministrave. Bie në sy se ofrohen veshmbathje me një çmim 500 lekë, por nuk specifikohen as lloji, as njësia matëse, as sasia, natyrisht as çmimi për njësi. Po ashtu në lotin 2 futen në një kategori “birrë e ushqimore etj.” që kushtojnë vetëm 929 lekë, pa specifikuar llojet, “etj.”-in, litrat, kilogramët, copët, shishet. Gjithë ky absurd kulmon me lotin 3 “të ndryshme”, që kushtojnë 2 292 lekë. Shifrën më të lartë e ka loti 4 “skrap”, natyrisht pa sasinë, por që kushton 25 492 lekë. Ky njoftim është në kundërshtim të plotë më aktet ligjore dhe nënligjore dhe duhej parandaluar nga Agjencia e Prokurimit Publik, por ajo e lejon dhe e publikon. Del qartë se nëpunësit e një administrate në largim duan të bëjnë të grabisin edhe thërrimet e fundit të pasurisë publike, pavarësisht që janë mallra të konfiskuara.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





