DURRËS, 3 gusht 2013 – Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Durrës-Tiranë.
Mjeti karrotrec me targa AA501AC i drejtuar nga shtetasi Sokol Raca 45 vjeç ka aksidentuar me pasojë vdekje një shtetas të paidentifikuar të seksit mashkull rreth të 30-ave.
Sipas policisë së Durrësit trupi i 30-vjeçarit është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Durrësit.
Drejtuesi i mjetit është arrestuar nga policia e Durrësit, ndërkohë po punohet për identifikimin e viktimës.
Përshkrimi trupor dhe i pamjes së jashtme të viktimës së aksidentit
Mashkull rreth 45-vjeç, flokë të shkurtër të thinjur. Mban veshur një kanatjere të verdhë me mbishkrimin FOC, tuta të zeza me shirita portkalli.
Pak kohë para aksidentit ky shtetas ka komunikuar me disa persona në një local, pranë vendit të ngjarjes të cilët i ka pyetur për rrugën që të çon për në Kosovë.
Sipas rrëfimit të banorëve nga theksi ai dyshohet të ketë qenë nga Kosova. Gjithashtu gjatë bisedës me ta ai ka përmendur komunën e Deçanit.
Sipas njoftimit nga policia e Durrësit ky shtetas dyshohet të ketë qenë nën ndikimin e pijeve alkolike dhe me problem të mundshme mendore.
Policia e Durrësit jep këto të dhëna për karakteristikat fizike të viktimës për mediet me qëllim identifikimin e trupit në morgun e qytetit.





