KZAZ nr.21, e pozicionuar tek pallati i sportit “Ramazan Njala”, është “mbytur” nga plehrat.
Prania e shumë vëzhguesve dhe komisionerëve të të gjitha subjekteve politike që ndjekin nga afër procesin e numërimit e ka kthyer këtë hapësirë në një vend depozitimi mbeturinash dhe konsumimi cigaresh.
Kuti picash, kanaçe, shishe plastike, qese plastike të mbushura me mbeturina i gjen anekënd shkallëve dhe ulëseve të pallatit të sportit. Pamjet filmike që sjell operatori i “DurrësLajm” nuk kanë shumë nevojë për koment.
Ndërkohë janë të shumtë personat që konsumojnë duhan, në ambientet e brendshme, pavarësisht se kjo gjë është e ndaluar me ligj.
KZAZ nr.21 është më e madhja e qarkut të Durrësit me 109 kuti votimi të 5 njësive administrative të bashkisë Durrës.





