ELBASAN, 15 maj 2013- Partia Socialiste u ndal sot në Elbasan për të prezantuar kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit. Kryetari Edi Rama akuzoi qeverinë se po ushtron presion ndaj rrogëtarëve të shtetit, për të mbështetur PD-në gjatë fushatës elektorale. 

Kryesocialisti theksoi vendosmërinë e opozitës, për të çuar përpara drejtësisë çdo drejtor shkolle apo spitali, që siç tha ai, ka ushtruar terror psikologjik ndaj rrogëtarëve të shtetit për të mbështetur dhe votuar Partinë Demokratike. 

“Dy fjalë për presionet që po rriten mbi të gjithë ata që shteti duhet t’i respektonte si shërbëtorë të popullit, por që pushteti i trajton si skllevër, duke i kërcënuar me bukën e gojës. Mbi rrogëtaret e shtetit po bëhet presion kriminal, për t’i detyruar që t’i bashkohen fushatës së partisë familjare të kryeministrit dhe për t’i dhunuar psikologjikisht me qëllim që tu marrin votën. Ne u themi të gjithëve mos u përulni, ruajeni vendin e punës, por mos u përulni. Zotohemi publikisht se çdo drejtor shkolle, çdo drejtor spitali, çdo drejtor i çdo pjese të shtetit që është i angazhuar për të ushtruar terror psikologjik mbi rrogëtarët, pas 23 qershorit do të dalë përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale. Ne vimë përpara popullit shqiptar me premtimin që t’i japim këtij vendi lirinë, çdo qytetari të këtij vendi lirinë për të menduar çfarë të dojë, për të thënë atë që mendon, për të bërë biznes dhe për të mos u kërcënuar apo dhunuar për shkak të bindjeve të tij. Pas 23 qershorit Shqipëria do të marrë frymë lirisht”- deklaroi Rama. 

Më tej lideri i PS-së theksoi se pas zgjedhjeve të qershorit, qeveria socialiste do të anulojë të gjitha gjobat që qeveria ka vendosur në katër muajit e fundit, ndaj bizneseve apo sipërmarrjeve të mëdha. 

“Ashtu sikundër po shtohen presionet ndaj administratës, ashtu po shtohet dhe vala e gjobave ndaj njerëzve të këtij vendi që në 23 qershor do të shkojnë në votime. Që nga fshatarët që jetojnë me drutë e pyllit dhe gjobat për biznesmenët apo sipërmarrësit e mëdhenj. Nuk do të njohim asnjë gjobë që është vendosur në katër muajt e fundit përpara 23 qershorit. Çdo njeri që ka marrë një gjobë që nga fillimi i muajit mars duhet ta mbajë atë më krenari si një certifikatë në betejën më këtë qeveri, që në mënyrën më të pashpresë mundohet të kapet pas këtyre formave si i mbyturi në fije të barit.”- u shpreh Rama. 

Ndërsa renditi premtimet e tij për qarkun e Elbasanit, lideri i opozitës u zotua për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës. 

“Sot ne jemi këtu së bashku, jemi angazhuar që të gjithë që të ndërmarrim rrugëtimin drejt një rilindjeje të re shqiptare, drejt rivendosjes së dinjitetit të çdo njeriu të lirë përmes punës. Ne jemi angazhuar që ta kthejmë katërvjeçarin e ardhshëm në katërvjecarin e një beteje për të hapur 300 mijë vende të reja pune. Jemi të angazhuar që të heqim taksën për biznesin e vogël, e duke shkuar më tutje me vendosjen e një sistemi të taksimit të ndershëm, në mënyrë që kush fiton më pak të paguajë më pak dhe kush fiton me shuam të paguajë më shumë. Me këtë sistem taksimi të ndershëm, të gjithë policet e thjeshtë, infermierët do të përfitojnë më shumë se një rrogë plus. Ndërkohë që të tjerët sigurisht do të paguajnë më shumë sepse ftojnë më shumë. Jam krenar që PS ka arritur të formojë një skuadër për rilindjen e Elbasanit si skuadra që do të shkojë derë më derë në çdo lagje të qytetit të Elbasanit, në çdo shtëpi për të çuar mesazhin tonë të shpresës dhe besimit tek e ardhmja.”- vijoi më tej Rama. 
 

TAULANT BALLA 

“Në qarkun e Elbasanit e kemi betejën shumë të lehtë, sepse në krye të skuadrës së Saliut qëndron një ministër mbrojtje, i cili po të kishte pasur dhe kalanë e Elbasanit në pronat e ushtrisë do ta kishte shitur. Eshtë detyra jonë që këto prona të vjedhura nga ministrat e Sali Berishës t’ua kthejmë shqiptarëve. Elbasani është çelësi i fitores në të gjithë Shqipërinë”. 
 

ALFRED PEZA

“Edhe 39 ditë nga 23 qershori, nga dita e madhe e fitores. Më 24 qershor fillon rilindja e Shqipërisë. Ndaj qeveria sot ka të 40-tat. Elbasani nga kryeqyteti i industrisë është kthyer në kryeqytetin e varfërisë dhe papunësisë. Doktor Adhamudhi premtoi 160 mije vende pune, por nuk hapi asnjë vend pune, përkundrazi shqiptarët i kanë humbur vendet e punës në këto 8 vjet. Nga Peqini fillon rilindja, fillon fitorja e thellë dhe spektakolare e PS-së. Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama do të hapin 300 mijë vende pune, socialistët janë njerëz të premtimeve të mbajtura”. 

 

EVIS KUSHI

“Në emër të skuadrës së rilindjes ju garantoj se kjo skuadër do t’i kthejë dinjitetin qytetit të Elbasanit. Ne Partia Socialiste në zemrën e qytetarisë shqiptare do t’ia kthejmë dinjitetin këtij qyteti dhe do t’i hapim rrugën rimëkëmbjes dhe ripërtëritjes. Elbasani do të rilindë, e gjithë Shqipëria do të rilindë. 

 

DAMIAN GJIKNURI

“Këto katër vjet ju jemi borxhlinj për mbështetjen që na keni dhënë. Elbasani është kërthiza e Shqipërisë, por nuk është trajtuar si e tillë nga kryeministri që vjen dhe ju takon me antiplumb. Kjo zonë në varfërinë dhe prapambetjen që e ka lënë ai kryeministër është shumë e qartë në zgjedhjen që duhet të bëjë. Të gjithë votat masive për programin e rilindjes, për ta kthyer Elbasanin në qendër të vëmendjes së qeverisjes së ardhshme”.

BEN BLUSHI 

“Jam i nderuar që jam bashkë në një ekip me gjithë këta burra dhe gra, që nga Damiani që përfaqëson Gramshin, nga Fredi që përfaqëson Peqinin, nga Evisi që vjen nga universiteti për t’i dhënë një ndihmë rilindjes së arsimit në Elbasan, nga Musa Ulqini, një mik i shkëlqyer që do përfaqësojë Cërrikun dhe Belshin, duke i kthyer kësaj zone deputetin që i ka munguar. Taulant Balla, opozitari model i këtyre viteve. Saliu e ka hedhur 12 herë në gjyq Taulantin dhe vetëm me paratë e kësaj padrejtësie i dalin paratë për pensionin. Pse është Elbasani sot kaq i varfër, pse nga qytet i kulturës është kthyer në qytet të papunësisë. Nuk ka Elbasani diell, fusha njerëz punëtorë? I ka të gjitha këto. Elbasanit i mungon qeveria të dashur miq, duhet t’i japim qeverinë më 23 qershor.”

Lista e kandidatëve në Qarkun Elbasan

1. Ben Blushi 
2. Damian Gjiknuri 
3. Evis Kushi 
4. Alfred Peza 
5. Taulant Balla 
6. Musa Ulqini 
7. Arben Kamami 
8. Ilir Bejtja 
9. Luljeta Arapi 
10. Agim Leka 
11. Kastriot Gurra 
12. Mehdi Pepa 
13. Altin Ago 
14. Ymer Tola 
15. Rovena Beqiraj 
16. Sokol Skura