TIRANE, 15 maj 2013– Ndërsa partitë politike u gjobitën për mosplotësim të kuotave gjinore, një parti e vogël është sanksionuar për të kundërtën: diskriminim të burrave në lista.

KQZ ka gjobitur dje me 8 milionë lekë të reja Partinë Popullore Kristiandemokrate me kryetar Pal Shkambin, pasi në listat e kandidatëve janë diskriminuar meshkujt.

Në listën e PPKD gjenden 126 kandidate femra dhe vetëm 41 meshkuj. Nga anëtarët e KQZ-së, ky fakt është cilësuar si diskriminim ndaj burrave në qarqet: Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Dibër, Berat dhe Fier.

Rasti nuk ka kaluar pa batuta dhe humor në mbledhjen e KQZ-së. Juristi Idajet Beqiri tha dje se kjo forcë politike duhet t’i japë disa kandidate femra borxh PD, PS dhe LSI, që këta të fundit t’u shmangen gjobave.

“Ata duhet t’ju japin juve ca, që t’ju hiqet gjoba, ca PS-së e ca PD-së, e ca LSI-së”, tha Beqiri. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, tha: “PS-ja ka nevojë më tepër, ke të drejtë ti. Brenda koalicionit lejohet”.