DURRËS, 15 maj 2013– "Arrest me burg", është kjo masa e sigurisë që gjykata e Durrësit ka vendosur për 17 vjeçarin Xhulio Leka. Ai akuzohet nga organi i akuzës për vrasje me paramendim të 15 vjeçarit Fatos Daci, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në afërsi të sektorit "Iliria" në Plazh Durrës.
I pranishëm gjatë dhënies së masës së sigurisë ishte dhe vetë i akuzuari Xhulio Leka. Organi i akuzës i përfaqësuar nga prokuroria Enkeleida Xhengo, tha se ka prova të mjaftueshme që implikojnë 17 vjeçarin si autor të vrasjes me paramendim të 15 vjeçarit Daci, duke e cilësuar arrestimin në flagrancë si të ligjshëm, duke kërkuar "Arrest me burg".
Kërkesa e prokurores u pranua edhe nga avokati mbrojtës Ardian Halili, por ky i fundit deklaroi se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti banal mes dy të rinjve, dhe se 17 vjeçari nuk ka pasur si qëllim vrasjen e 15 vjeçarit Leka. Pasi ka dëgjuar palët, trupi gjykues i kryesuar nga Lazer Sallaku, vendosi ta cilësoi si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të 17 vjeçarit Leka, duke dhënë masën e sigurisë "Arrest me burg".
Dhënia e masës së sigurisë u mbajt me dyer të mbylluara pas kërkesës së prokurores, për shkak të moshës së mitur të autorit të vrasjes, e cila u pranua edhe nga trupi gjykues. Gjatë dhënies së masës së sigurisë nuk kanë qenë të pranishëm asnjë nga familajërt e autorit apo viktimës.
NGJARJA
Ngjarjat e rëndë ndodhi rreth orës 12:45, në Plazhin e Durrësit, në sektorin “Iliria”, duke shkaktuar panik te dhjetëra qytetarë që ndodheshin në ato momente në vendin e krimit. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan grupit të hetimit se adoleshentët kanë debatuar ashpër dhe janë fyer me njëri-tjetrin në një pikë interneti që ndodhej në mes të lagjes. Pasi kanë dalë prej saj, ata janë përplasur sërish në rrugë. 17-vjeçari Xhulio Xheka ka nxjerrë thikën që e mbante të fshehur në rroba dhe e ka qëlluar në zemër shokun me të cilin pak minuta më parë po luanin bashkë.
Kalimtarë të rastit e kanë transportuar menjëherë për në Spitalin e Durrësit viktimën, por ai ndërroi jetë pak minuta pas mbërritjes. Mjekët thanë se 15- vjeçari kishte humbur shumë gjak dhe se thika i kishte prekur organin jetësor. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti policia. Ata identifikuan dhe arritën të arrestonin në një kohë mjaft të shpejtë autorin, i cili, siç mësohet, ka pranuar krimin e rëndë.
“E vrava pasi u zumë për lojën në internet se kush e kishte vrarë njëri-tjetrin. Më shau. Nuk mund t’i duroja fyerjet, ndaj e vrava”, është shprehur i riu pas arrestimit.
Dëshmitarët tregojnë se gjithçka ka ndodhur në pak minuta.
“Isha duke biseduar me një shokun tim këtu në anë të rrugës, vetëm kur dëgjuam një të bërtitur. Kthejmë kokën dhe pamë që një fëmijë ishte shtrirë në tokë dhe po e mbulonte gjaku, ndërsa një tjetër, disi më i madh dhe më i bëshëm, po vraponte përmes pallateve me thikë në dorë. Shkuam për të ndihmuar fëmijën. Na kapi paniku, pasi plaga nga po rridhte gjaku ishte në zemër. Kërkuam ndihmë nga personat që kishin aty pranë bizneset dhe e transportuam për në spital”, u shpreh njëri prej banorëve të lagjes ku ndodhi krimi i rëndë.
Autori ishte i punësuar me kohë të pjesshme për shpërndarjen e picave me motor. Policia ka marrë në pyetje edhe personat që ndodheshin në pikën e internetit, ku dhe nisi konflikti mes viktimës e autorit. Ata kanë pohuar se gjithçka kishte nisur për shkak të një loje online me të cilën po luanin prej disa minutash. Policia bëri të ditur se 15-vjeçari dhe adoleshenti që kreu vrasjen ishin banorë të së njëjtës lagje, ndërsa asnjëri prej tyre nuk e frekuentonte shkollën.
/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





