Të hënën Angelina Jolie u tregua shumë e guximshme pasi bëri të ditur se përmes një operacioni kishte hequr gjinjtë.

Dhe njëri nga personat, i cili mësoi për operacionin përmes internetit si e gjithë bota, ishte edhe babai i aktores Jon Voight.

Voight, që u pajtua me Jolien pas dhjetë vjetësh e lavdëroi shumë bijën e tij por në anën tjetër ishte i befasuar, veçanërisht kur një ditë para se Angelina ta publikonte lajmin, ai e kishte parë atë.

“Dashuria dhe admirimi im për vajzën time nuk mund ta tregohet me fjalë”, ka thënë aktori për New York Daily News.

“E kam parë atë dy ditë më parë me djalin tim Jamie. Ne ishim së bashku për ditëlindjen e tij dhe ajo ishte e pranishme së bashku me Bradin(Pitt). Por unë nuk e dija. As që vërehej tek ajo”, shtoi ai.

“Mësova për operacionin e saj në mëngjesin e së martës. Isha i befasuar si kushdo tjetër dhe isha i befasuar me mënyrën se si e përballoi këtë. Ajo është një person i jashtëzakonshëm”, përfundoi ajo.

Angelina mori vendim që të bëhej operacion pasi mësoi se kishte 87 për qind gjasa që të kishte kancerin.

Brad Pitt: E fejuara ime është “heroinë”

Brad Pitt e ka cilësuar si “heroik” vendimin që mori partnerja e tij Angelina Jolie për të hequr gjinjtë pasi kishte 87% mundësi për tu prekur nga kanceri i gjirit.

Protagonisti i ‘Fight Club’ u shpreh nëpërmjet një komunikate për shtyp se lajmi i mastektomisë së dyfishtë është shumë i mirë për familjen e tij.

-Është një vendim heroik i Angelina, ashtu si shumë vendime të tjera në jetën e saj. Falenderoj ekipin mjekësor për kujdesin që treguan për të. Uroj që të ketë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme me mua dhe fëmijët. Kjo është një ditë e lumtur për familjen tonë. 

37-vjeçarja mori vendimin për t'iu nënshtruar procedurave në muajin shkurt, pasi mësoi se ishte bartëse e genit kancerogjen BRCA1. Nëna e saj, Marcheline Bertrand vdiq në moshën 56-vjecare nga kanceri i vezoreve, dhe vetë Angelina ka 50 për qind rrezik të preket nga kjo sëmundje.

Në një shkrim editorial të publikuar në gazetën 'New York Times', me titull "My Medical Choise", Angelina shpjegon vendimin e saj duke bërë të ditur se procedurat nisën në muajin shkurt, ndërsa operacioni ristrukturues u krye në 20 prill.

-Doktorët vlerësuan se unë kisha 87 për qind rrezik për t'u prekur nga kanceri i gjirit dhe 50 për qind nga kanceri ne vezore. Rreziku është i ndryshëm në gra të ndryshme. Pasi e kuptova që ky ishte realiteti im, vendosa të jem proaktive dhe të minimizoja rrezikun sa të mundja. Kështu bëra ndërhyrjen për heqjen e të dy gjinjve të mi, pasi rreziku aty ishte shumë më i lartë se sa në vezore dhe se ndërhyrja ishte shumë komplekse. Në 27 prill përfundova tre muaj procedura mjekësore. Gjatë kësaj kohe arrita ta mbaj të fshehtë gjithë këtë proces dhe të vazhdoja me punën time, shkruan Angelina. 

Operacioni ishte i suksesshëm dhe mjekët thonë se shanset që Angelina ka për të patur kancer gjiri janë më pak se 5 për qind.

-Desha të shkruaja këtë për t'i thënë grave kudo se i gjithë procesi ishte i vështirë, por unë jam e lumtur që ia dola mbanë. Shanset e mia për të patur kancer gjiri janë më pak se 5 për qind. Unë mund t'u them fëmijëve të mi se ata nuk kanë përse të kenë frikë se do më humbin për këtë shkak, shkruan Angelina.

Aktorja shpreh falenderimin për mbështetjen që i dha partneri i saj Brad Pitt dhe shton se gjatë trajtimit ka patur pranë fëmijët e saj.

Angelina siguron të gjithë lexuesit se fakti që hoqi të dy gjinjtë dhe i ristrukturoi ata nuk ka sjellë asnjë problem në mënyrën e saj të të ndjerit grua.

-Tani nuk ndihem më pak grua. Nuk ndjej në asnjë moment që feminiliteti im ka rënë, shkruan Angelina.

Jolie-Pitt martohen së shpejti

Angelina Jolie dhe Brad Pitt planifikojnë të martohen “sa më shpejtë që është e mundur” pas heqjes së gjinjve të aktores.

“Angie dëshiron të martohet dhe fëmijët e saj kërkojnë martesë dhe vazhdojnë të pyesin Brad dhe Angien kur do të ndodhë kjo”.

“Brad kishte qenë i ngarkuar me problemet në produksion të filmit të tij të ri ‘World War Z’, andaj nuk ka pasur plane për martesë, po Angie ka thënë se ajo do të ndodhë shumë shpejt”.

“Ata janë në të gjitha aspektet dhe nevojat të martuar, por po bëhet e qartë se e rëndësishme është ata edhe ta zyrtarizojnë atë”, ka thënë burimi.