DURRËS, 14 maj 2013– Rreth 500 kilogramë drogë e llojit hashash, është bllokuar në portin e Durrësit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin trajler me targa të kokës TR 6058 K dhe të trajlerit TR 2633M, që drejtohej nga Lulëzim Vataj, 35 vjeç, në pjesën e tavanit iu gjetën të fshehura 266 pako në formë cilindrike, brenda së cilave ndodhej masa bimore ngjyrë jeshile në gjendje të thatë që për nga karakteristikat dyshohet se është lëndë narkotike e tipit Kanabis Sativa.
Sasia e lëndës narkotike me destinacion Italinë është sekuestruar gjatë një kontrolli të ushtruar në kamion nga policia kufitare në bashkëpunim me agjentët e antidrogës.
Sipas policisë operacioni erdhi pas informacioneve që kishin marrë në rrugë operative, ku sinjalizohej se në kamion ishte fshehur një sasi e konsiderueshme droge.
Ndalimi i mjetit u bë para se të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Bari.
Policia ka ndaluar drejtuesin e automjetit Lulëzim Vataj, 35 vjeç, banues Tiranë.
Në cilësinë e provës u sekuestruan 458 kg lëndë narkotike, së bashku me automjetin, sasia prej 260 Euro dhe një aparat telefonik celular.
Lidhur me rastin u kryen veprimet e para hetimore dhe po vijon puna për identifikimin e personave të implikuar në këtë trafik të paligjshëm.
/e.a.Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





