TIRANE, 14 maj 2013– Ditën e sotme kreu i baskisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe kryeministri i vendit, Sali Berisha përuruan qendrën e kontrollit dhe menaxhimit të trafikut urban, një projekt ky i financuar nga BERZH.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryebashkiaku Basha theksoi se kjo qendër, një nga më modernet në rajon bën të mundur kontrollin e trafikut në të gjitha nyjat kryesore të kryeqytetit dhe gjithashtu ndikon në uljen e ndotjes në qytet, por edhe në kursimin e kohës dhe karburantit.

“Sot inaugurojmë një nga qendrat më moderne në rajon, qendër e cila bën të mundur kontrollin e drejtpërdrejtë me kamera dhe semaforë të komanduar nga kjo qendër për të gjitha nyjat e trafikut të qytetit të Tiranës. Për herë të parë ne kemi instaluar edhe semaforët me buton për këmbësorët”, tha Basha.

Ndërkohë, kreu i qeverisë vlerësoi punën e bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Basha, i cili sipas tij në 2 vjet ka bërë ndryshime rrënjësore në kryeqytet, sidomos në sheshin ‘Skënderbej’, duke e nxjerrë kryeqytetit nga ‘harta e vendeve thellësisht kancerogjene’ për shkak të ndotjes së lartë.

‘Këto 2 vjet në bashkinë e Tiranës kanë ndodhur ndryshime serioze po për mua arritjet e të gjitha arritjet në këtë bashki ka ndodhur në sheshin “Skënderbej”. Aparaturat e organizatës botërore të shëndetësisë prej shumë vitesh e dëshmonin kryeqytetin si një kryeqytet thellësisht kancerogjen. Ndotja e ajrit në shesh tejkaloi 2 herë, 3 herë, çdo lloj limiti dhe kalonin e rrezikut dhe kërcënimit më maksimal. Kjo nuk është më. Këto aparatura sot tregojnë se qytetarët e kryeqytetit thithin ajrin e normave njëlloj si në qytetet miqësore ndaj mjedisit”, tha Berisha.

Ndërsa premtoi mbështetjen e mëtejshme nga ana e qeverisë për bashkinë më të madhe në vend, kryeministri sulmoi kundërshtarin e tij politik dhe ish kreun e bashkisë së Tiranës, Edi Rama për shpërdorim të fondeve të mëdha që jepeshin nga qeveria, duke e lënë prapa zhvillimin e Tiranës.

“Të gjitha fondet që jepeshin nga qeveria avullonin. Qeveria i dha kryetarit të bashkisë modelin, por ai kishte modelin e tij, i dha fonde për shkolla që nuk u ndërtuan kurrë dhe nxënësit ngelën në Tiranë si në asnjë qytet tjetër”, tha Berisha.