UASHINGTON, 14 maj 2013– Kryeministri britanik, David Cameron vizitoi Kongresin amerikan, gjatë turit të tij treditor në Shtetet e Bashkuara ku u prit nga liderët e dhomës së ulët dhe senatit.

Më herët ai takoi edhe presidentin Barak Obama, ndërsa të martën do të vizitojë Bostonin për të parë nga afër skenën e shpërthimeve në vijën e finishit të maratonës.

Në udhëtimin e parë në Shtetet e Bashkuara që nga nisja e mandatit të dytë të presidentit Obama, Cameron është përqëndruar në nxitjen e bisedimeve për traktatin tregtar mes dy kontinenteve, si dhe në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin sirian.

Kameron shpreson të ketë ndihmën e Shteteve të Bashkuara për samitin  e G8 ku së bashku edhe me Rusinë, të gjendet një marrëveshje politike për Sirinë.