TIRANE, 13 maj 2013– Partia Demokratike siguroi sot se do të vazhdojë punën për zhvillimin e turizimit në Shqipëri, ndërsa deklaroi se promovimi turistik i Shqipërisë nga kryesocialisti Edi Rama ka qenë nëpërmjet grevave të urisë, bojkoteve dhe protestave të dhunshme.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi deklaroi se Partia Demokratike po punon për bërë përmirësime reale në jetën e qytetarëve.
"Si kryebashkiak, Rama i kishte të gjitha mundësitë për të punuar drejt shtimit të turizmit, gjë që nuk e bëri. Përkundrazi, plani i tij i vetëm për turizmin ishte rritja e taksave të hoteleve, duke e dëmtuar turizmin", deklaroi ajo.
Në këtë drejtim, ajo deklaroi se "Partia Demokratike ka ndërmarrë hapa konkret për shtimin e numrit të turistëve nga 300 mijë në vitin 2005 në 4.7 milion turistë në vitin 2012".
"Për këtë arsye ne po ndërtojmë 16 impiante për trajtimin e ujrave (të zeza), 4 prej të cilave tashmë janë vënë në punë, ndërsa dy të tjerë në Vlorë dhe Sarandë janë gati të vihen në punë, sapo bashkiakët e Ramës të marrin përgjegjësitë. Kemi asfaltuar 10 mijë km rrugë për t’i dhënë mundësi tursitëve të udhëtojnë përmes Shqipërisë drejt pikave tona kufitare. Kemi ndërtuar terminalin e ri të pasagjerëve në Durrës për t’i dhënë mundësi anijeve të lundrimit e trageteve të sjellin turistë në Shqipëri", tha Vorpsi.
Sipas saj, "janë rehabilituar pikat me interes kulturor dhe janë asfaltuar rrugët për t’i shijuar këto vende kulturore gjithandej, si në Butrint, Apolloni, Bylis, Finiq, Antigone, Çajup, Sari Salltik, Prezë dhe pothuajse kudo nëpër Shqipëri".





