GREQI, 13 maj 2013– Policia greke ka arrestuar katër shtetas shqiptarë, tri femra dhe një mashkull, të moshës nga 55-56 vjeç, me akuzën e vjedhjeve të përsëritura në supermerkata të ndryshme të Athinës.
Sipas policisë, tri femrat hynin në supermarket dhe merrnin nga raftet artikuj të ndryshëm, si pije të shtrenjta alkoolike, artikuj kozmetike, ushqime e detergjente, të cilat i fshihnin në xhepa të posaçëm që kishin krijuar në veshjet dhe çantat e tyre.
Më pas, artikujt e vjedhur dërgoheshin për t’u shitur në Shqipëri, me linjat e autobusëve apo automjete të ndryshme.
Sipas policisë, në banesat e tyre u gjetën shënime në gjuhën shqipe, prej nga rezulton se kanë në emër të të katërtve, llogari bankare me vlerë të përgjithshme 100.000 euro në banka të ndryshme në Shqipëri.
Nga verifikimet rezultoi se të katër ishin arrestuar që nga viti 1996, plot 11 herë për të njëjtën vepër penale, pra vjedhje në supermarkete.





