TIRANE, 13 maj 2013– Sot demokratët do të çelin zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Pasditen e së hënës, koalicioni i djathtë, “Aleanca për Punësim, Integrim dhe Mirëqenie” do të prezantojë kandidatët në sheshin “Nënë Tereza”. Përmes rrjetit social Facebook, kreu i PD-së, Sali Berisha ftoi qytetarët që të marrin pjesë në prezantimin e të gjithë kandidatëve për të 12 qarqet.

"Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që nesër të festojmë dhe të hapim sëbashku, në një miting dhe koncert madhështor, fushatën e Fitores sonë të re!", shkruan kryeministri Berisha. “Të dashur miq! Nesër, në ora 19:30, në sheshin "Nënë Tereza, në Tiranën blu, ne hapim fushatën elektorale te 23 qershorit. Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që nesër të festojmë dhe të hapim së bashku, në një miting dhe koncert madhështor, fushatën e Fitores sonë të re!”, shkruan kryeministri Berisha në faqen sociale të Facebook.

Tubimi në sheshin “Nënë Tereza” shënon vetëm çeljen zyrtare të fushatës, pasi prej një muaji kreu i qeverisë ka filluar turin e takimeve dhe të bashkëbisedimit me qytetarët në zona të ndryshme dhe transmetimin e tyre direkt përmes televizionit publik i cili e shpërndan për mediat  e tjera. Sipas Kodit, fushata zgjedhore duhet të fillojë vetëm 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medies, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

Tre ligjet

Edhe pse zyrtarisht Kuvendi i mbyll punimet e tij më 25 maj, realisht asnjë  prej komisioneve parlamentare nuk punon pas e gjithë vëmendja është fokusuar në fushatën për zgjedhjet,. Pavarësisht këtij fakti, kryeministri Berisha gjatë përurimit që i bëri rikonstruksionit të rrugës Ura Gjadër-Mnelë, nuk kurseu akuzat ndaj aleancës së majtë.

“Aleanca e 1 Prillit është aleanca e mashtrimit, trillimit dhe nihilizmit. Ne në 23 qershor, do të votojmë për 3 ligje, do të votojmë për integrimin tonë në Europë, do të votojmë për më shumë rrugë, më shumë kanalizime, më shumë shkolla të reja, më shumë ujësjellësa, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, pensione më të larta dhe këtë e di mirë kryeministri i autobusit mavi, që ka zgjedhur një autobus luksoz për vete, dhe vetë shofer e vetë pasagjer, aty thur ëndrrën që nuk do t'i bëhet reale kurrë",tha Berisha.