UASHINGTON, 13 maj 2013– Senatori republikan, John McCain, ish-kandidat në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës e cilësoi një "komplot për fshehtësi" reagimin e parë të administratës Obama ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë.

Ai kërkoi ngritjen e një komisioni special për të hetuar veprimet e administratës pas sulmit të shtatorit që la të vrarë katër amerikanë, ndër të cilët edhe ambasadorin. 

Diskutimet vazhduan dje në ëashington, pak ditë pasi rrjeti ABC njoftoi se kishte në dorë mesazhe elektronike, ku bëhej e qartë se Departamenti i Shtetit kishte redaktuar komentet e shërbimeve të zbulimit për të shmangur vëmendjen nga përfshirja e terroristëve në sulmin e Bengazit.  

McCain tha se duket që ishin përpjekje për të fshehur të vërtetën, pasi kishte një ndërhyrje të qëllimtë për të eliminuar informata.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney iu kundërvu atyre që i cilësoi si përpjekje për të akuzuar administratën se ka fshehur diçka në këtë proces.