DURRES, 12 maj 2013– Lefter Koka, kandidati i parë në listën e LSI-së, për qarkun e Durrësit e ka cilësuar justifikim "jo të qenësishëm" mospërfshirjen në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së të Agron Dukës, nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Njëherësh edhe kunati i Dukës, Lefter Koka shprehet se, "mendoj që zoti Rama e ka pasur më herët dhe jo tani këtë vendim në kokë, për të mos e kandiduar zotin Duka". Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Koka shprehet se këto biseda për kandidimin, Duka dhe Rama i kanë bërë së bashku më herët, qysh para 4 viteve. "Janë biseda që ai i ka bërë me zotin Rama dhe nëse kryetari i PS-së qysh para 4 vjetëve e ka vlerësuar dhe i ka premtuar që do ta përfshijë si kandidat dhe në fund jep këtë arsye, nuk më duket aspak bindëse dhe nuk më duket e plotë", tha Koka.
Z.Koka, kryetari i PS-së, z.Edi Rama deklaroi një ditë më parë se nuk e kandidoi z.Agron Duka, kunatin tuaj, sepse ka pasur mendimin "se dy kunetër në dy forca aleate nuk mund të kandidohen". A ndiheni ju pak "fajtor" për mospërfshirjen e z.Duka në listën e PS-së këtë herë?
Nëse është thënë kjo arsyeja, mua nuk më duket një arsye e qenësishme për t'u justifikuar. Mendoj që zoti Rama e ka pasur më herët dhe jo tani këtë vendim në kokë, për të mos e kandiduar zotin Duka.
Cilat janë arsyet, sipas jush?
Ato i di ai, nuk i di unë, por janë biseda që ai i ka bërë me zotin Rama dhe nëse kryetari i PS-së qysh para 4 vjetëve e ka vlerësuar dhe i ka premtuar që do ta përfshija si kandidat dhe në fund jep këtë arsye, nuk më duket aspak bindëse dhe nuk më duket e plotë.
Mendoni se zoti Duka do t'i bëjë dëm koalicionit të majtë, me largimin nga PS dhe kandidimin për PR-në?
Zoti Duka ka kontribute në parti e shoqëri dhe të gjithë i njohin dhe i vlerësojnë ato kontribute. Çdokush që largohet krijon dëm, dhe ky dëm është i dimensioneve të ndryshme. Unë nuk mundem ta parashikoj tani këtë dëm, por kjo do të vlerësohet pas 23 qershorit. Por sigurisht që largimi i Dukës e dëmton të majtën.
A keni biseduar ju pas këtij vendimi me zotin Duka, meqenëse keni edhe këtë lidhje familjare?
Gjithsesi unë mendoj se ajo që është absurde është se nuk duhen trajtuar çështjet në këtë këndvështrim. Gjithsecili ka integritetin e tij. Ne jemi kunetër, Duka është babai i nipërve të mi dhe është shok i imi. Marrëdhënia e tij është personale me Ramën dhe kjo marrëdhënie pësoi një çarje të padëshiruar, por kjo është për t'u vlerësuar nga vetë Rama dhe nga vetë Duka.
Fatmirësisht unë kam qenë jashtë kësaj loje që prej 4 vjetësh.
Duka: Në fushatë për të mos dëmtuar, Rama e merr përgjigjen në 23 qershor
Agron Duka, kandidati për deputet, tashmë në listën e Partisë Republikane , reagoi dje pas deklaratave të Edi Ramës se nuk e kandidoi në Durrës në emër të PS-së, për shkak se dy kunetër nuk mund të kandidojnë në të njëjtin koalicion. "Nuk kam dëshirë që në këtë fillim fushate elektorale të shpenzoj energji për t'i kthyer përgjigje liderit socialist, Edi Rama mbi deklaratat e bëra mediatikisht", – tha dje në një deklaratë për median, Agron Duka. Ai shtoi se, "synimi im në këtë fushatë është të mbështes elektoratin tim në Durrës, qoftë edhe nën logon e Partisë Republikane. Nuk kam dëshirë që të paragjykoj as veten dhe as kreun e PS-së, por kam ardhur me një qëllim, që qytetarët e Durrësit të kenë një zë të fuqishëm në Parlamentin Shqiptar", theksoi Duka.
Ndërkaq, ai shtoi: "Vij në këtë fushatë për të mos dëmtuar askënd. 23 qershori do të jetë përgjigja më e mirë për të gjithë ne". Një ditë më parë, kreu socialist, Edi Rama deklaroi në emisionin "Tonight" të gazetares Ilva Tare se Dukën nuk e kandidoi si pjesë e listës së PS-së për qarkun e Durrësit "për arsyen e thjeshtë sepse unë kam pasur mendimin se dy kunetër në dy forca aleate, është shumë nga pikëpamja e ngarkesës politike, pa hyrë në diskutim që lidhet drejtpërdrejt me personin". Pak orë përpara se Edi Rama të diskutonte listat e kandidatëve në mbledhjen e kryesisë së partisë, Agron Duka mësoi se nuk do të ishte në listën e deputetëve me garanci për të fituar, si përfaqësues i PS-së. Burimet thanë se Rama i kishte ofruar atij të vendin e gjashtë në Berat, ndërsa Duka nuk donte të hiqte dorë nga zona e tij, në Durrës. Ndaj edhe vendosi që pas njohjes së vjetër me Fatmir Mediun të kandidonte për republikanët.
/BalkanWeb/





