Ekskluzive e “Dyrrah”-ut / Plas sherri maqedonas-bullgar-grek-shqiptar për koalicionet e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri, pasi po pretendohet për përkatësinë etnike të minoritetit sllav

SHKUP, 11 maj 2013 –Fillimisht grekët vunë veton për pranimin e Maqdonisë në BE, tani po na asimilojnë pakicën, shkruan e përditshmja maqedonase Veçer në një artikull të titulluar “Koalicion greko-bullgar kundër maqedonasve edhe në Shqipëri!”.

Plas sherri maqedonas-bullgar-grek-shqiptar për koalicionet e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri, pasi po pretendohet për përkatësinë etnike të minoritetit sllav.

Njëra parti, Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian, që është bashkuar me koalicionin e djathtë, i cilëson të gjithë sllavët si maqedonas; ndërsa tjetra, Partia e Prosperitetit Demokratik, që u fut, bashkë më PBDNJ-në koalicionin e majtë, gollobordasit i lidh me bullgarët.

“Grekët dhe bullgarët bashkuan forcat kundër maqedonasve edhe në Shqipëri”, shkruan e përditshmja e Shkupit Veçer.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp kreu i Partisë greke Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule shpalli bashkëpunimin e partisë së tij me Izeir Fetahun, kryetar i Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD), si koalicion me bullgarët në Shqipëri.

Veçer-i ka ndjekur konferencën e shtypit dhe citon Dulen “Ne kemi marrë vendim për bashkëpunim në këto zgjedhje politike. PPD-ja që përfaqëson interesat e komunitetit bullgar gollobordas do të bashkëpunojmë me ne në këto zgjedhje”.

Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian i hodhi poshtë me vendosmëri pretendimet se në Gollobordë banojnë bullgarë.

“Kjo është propagandë e pastër e qeverisë bullgare kundër maqedonasve në Shqipëri dhe asimilim i maqedonasve në Shqipëri.

“Fill pasi vunë veton ndaj Maqedonisë për negociatat e pranimit në BE, tani Bullgaria dhe Greqia po përpiqen të shkatërrojnë dhe asimilojnë pakicën maqedonase”, tha Vasil Sterjovski, sekretar i përgjithshëm i Aleancës Maqedonase për Integrimin Europian, i cituar nga Veçer-i.

Sterjovski e konsideron këtë një disfatë të madhe edhe për diplomacinë maqedonase, e cila zhvilloi takim me Izeir Fetahun dhe e paraqiti si lider të partisë së dytë maqedonase në Shqipëri.

Koalicioni joparimor do të dëmtonte maqedonasit në zgjedhjet e qershorit në qarkut të Elbasanit, ku banojnë shumë maqedonas nga Glloborda, shkruan Veçer-i.

Dule deklaroi se “zoti Fetahu kryeson listën tonë [të PBDNJ-së] në qarkun e Elbasanit”.

Me këtë rast “Dyrrah-u” citon Dulen të ketë deklaruar: “Dëshiroj të shpreh kënaqësinë që në këtë konferencë dal me zotin Izeir Fetahu arsyeja është se sot denoncojmë aktin arbitrar të KQZ dhe të kolegjit zgjedhor, që përjashton nga konkurrimi Partinë e Prosperitetit Demokratik”

“Kjo parti ka konkurruar edhe në procese zgjedhore të mëparshme”, tha Dule, ndërsa shtoi se arsyet e mospranimit të saj janë krejt absurde dhe të papranueshme, i cituar në komunikatën e shtypit të PBDNJ-së.

Sipas të përditshmes Veçer, për dy vjet Fetahu ka bashkëpunuar me sukses me radikalin bullgar Krasimir Karakaçanov. Raportohet se kanë punuar me të njëjtën agjendë – pasaporta bullgare për maqedonasit në Shqipëri.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/