DURRES, 29 prill 2013 – Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga hapja zyrtare e sezonit turistik, Ndërmarrja e Komunales së Plazhit po vijon punën për pastrimin e vijës bregdetare në plazhin e Durrësit.

Institucioni në varësi të bashkisë së qytetit ka nisur prej ditësh nga puna për heqjen e leshterikëve dhe mbeturinave urbane përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit e deri tek sektori “Iliria”. Paralelisht me këtë ndërhyrje po kryhet edhe plugimi i brezit të rërës, për të vijuar me pas dezinfektimin në një sipërfaqe prej 17 hektarësh. Drejtori i Ndërmarrjes së Komunales së Plazhit, Alfred Dhuli, garanton se në datë 15 maj, datë që përkon me çeljen e sezonit turistik, vija bregdetare e plazhit të Durrësit do të jetë gati për të pritur turistët, duke iu ofruar shërbimet e duhura përsa i përket pastërtisë.  

Krahas fondeve të limituar që kjo ndërmarrje ka, për shkak të mosmiratimit të buxhetit, Dhuli shprehet se punonjësit e kësaj ndërmarrjeje janë angazhuar për pastrimin e plazhit dhe zonës turistike dy herë në ditë, duke garantuar një higjenë optimale për pushuesit.

Problem për këtë ndërmarrje mbetet mungesa e koshave të mbeturinave urbane përgjatë zonës turistike, por edhe banjot e dushet publike. Sipas Dhulit këto shërbime publike, do t’ju mungojnë pushuesve, nëse buxheti nuk miratohet para fillimit të sezonit turistik. 

Plazhi i Durrësit mbetet një nga më të frekuentuarit në vend nga pushues të shumtë nga qytetaret e ndryshme të vendit dhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë.

/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/