DURRES, 29 prill 2013– Ajo është një vajzë e vogël që ende nuk i ka mbushur 6 vjeç. Këtë vjeshtë do të nisë shkollën dhe ka një ëndërr të madhe. Të bëhet doktoreshë. I pëlqen profesioni të cilin e lidh me dhënien e “ilaçeve, gjilpërave për shërimin e njerëzve të sëmurë”.
Jeton në një dhomë të vetme, në lagjen 17 të Durrësit, bashkë me familjen e saj të përbërë nga e ëma 36 vjeçe, vëllai i madh 12 vjeç dhe e motra 10 vjeçare. Kërkon të ketë një jetë të bukur dhe ëndërron një profesion të cilin e sheh të pazgjidhshëm nga misioni fisnik, që detyra e mjekut ka. Me sytë e qeshur thotë: “Do të bëhem doktoreshë, po nuk do t’i marr lekë njerëzve. Ata duhet të shërohen.” Vogëlushja ndjek arsimin parashkollor dhe reciton me pasionin e moshës vjersha për atdheun, ndërsa nëna e saj nuk përfiton as ndihmë sociale teksa rrit e vetme tre fëmijët, dy prej të cilëve ndjekin arsimin e detyrueshëm. Griselda e do vendin e saj dhe pse nuk e bën dot ende dallimin mes tij dhe vendeve të tjera, mënyrës së ndryshme se si shtetet evropiane i trajtojnë përmes politikave sociale familjet në nevojë, si ajo e saja.
Muajt kalojnë shpejt dhe në vjeshtë vogëlushja do të nisë rrugën e gjatë drejt dijes. E ëma shpreson që diskriminimi social që rëndon mbi të, varfëria, pamundësia për t’i plotësuar nevojat bazë të mos i ndërpresin në mes ëndrrën dhe buzëqeshjen rrëzëllitëse që i ndriçon fytyrën.
Griselda dëshiron të bëhet mjeke. Përgjatë rritjes ajo mund të ndryshojë mendim. Të ëndërrojë dhe studiojë për një tjetër profesion. E rëndësishme është që askush nga ne, shoqëria, të mos ia prishë ëndrrën përmes paragjykimit, nëpërkëmbjes. Deri tani ajo ndjehet e barabartë me bashkëmoshatarët e tjerë në kopësht, merr komplimente nga edukatorja dhe njerëzit që e takojnë për zgjuarsinë, shkathtësinë dhe bukurinë që e karakterizon. Pjesa tjetër e jetës kalon në dhomën-shtëpi me një tualet të përbashkët që ndodhet jashtë dhe që familja e saj e ndan me dy familje të tjera.
Nesër e pret shkolla dhe përballja reale me jetën, por ajo po rritet, kërkon të sfidojë dhe sistemin e korruptuar të shëndetësisë së sotme dhe të prekë një ditë ëndrrën, për të cilën të gjithë duhet ta ndihmojmë.
/v.q. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





