TIRANE, 29 prill 2013- “Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare në qershor, kjo seancë shpreson të vlerësojë shkallën në të cilën progresi ka nisur të bjerë poshtë pritshmërive në vend dhe jashtë dhe se çfarë mund të bëhet për të përshpejtuar rrugën për reformat e mëtejshme sa i përket qeverisjes së mirë”.

Kështu shkruhet në njoftimin zyrtar që i paraprin një seance dëgjimore për Shqipërinë në Komisionin për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Sipas komisionit, “Pavarësisht progresit, Shqipëria vazhdon të hasë probleme në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, përfshi respektimin e ligjeve”. Në faqen zyrtare të komisionit është publikuar axhenda e punimeve dhe personat që do të jenë të pranishëm për të referuar mes të cilëve edhe Filip Riker zv/asistent sekretar për çështjet europiane dhe euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit.