TIRANE, 29 prill 2013– Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm dy persona janë arrestuar në flagrancë, gjatë një aksioni të Komisariatit Nr.2 të Tiranës, pasi ishin në hetim prej disa javësh për vjedhje.

Që prej fillimit të këtij viti, në Policinë e Tiranës ishin kryer denoncime për grabitje me dhunë e nën kërcënimin e thikës, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, ndërsa dje u arrit identifikimi dhe arrestimi i autorëve. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se të arrestuarit janë shtetasit Armando Jakupi, 32 vjeç dhe Eduart Dalipi, 34 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Ata u arrestuan në flagrancë, pasi i kishin vjedhur një vajze celularin, duke e kërcënuar me një thikë, në momentin që ajo po kthehej në shtëpi, pasi kishte dalë nga një lokal nate. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut, në rrugicat e të cilit ishin regjistruar më parë edhe të paktën 14 ngjarje të tilla, të denoncuara nga qytetarët e dëmtuar, por pa autor.

Duket se arrestimi i Jakupit e Dalipit ka zgjidhur problemin dhe frikën e banorëve të kësaj zone, të cilët lëviznin në këmbë për t’u rikthyer në shtëpi, pas mbrëmjeve që kalonin nëpër pub-e. Dy të dyshuarit “kontrollonin” kryesisht rrugicat me më pak lëvizje dhe më pak të ndriçuara.

Dhe, në momentin kur pikasnin një person që lëvizte vetëm, menjëherë i dilnin para duke e kërcënuar me thikë. Më pas i vidhnin celularin, sende të tjera personale dhe paratë që kishte me vete. Disa prej ngjarjeve ishin denoncuar në Polici, disa të tjera janë neglizhuar nga të dëmtuarit, të cilët kanë preferuar që të mos u drejtohen forcave të rendit për ndihmë.

Megjithatë, burimet thanë se ngjarje të ngjashme, si ato të ndodhura në zonën e ish-Bllokut, si më e frekuentuara gjatë orëve të natës, mund të jenë realizuar nga dy autorët edhe në vende të tjera të Tiranës. Për këtë arsye ka nisur verifikimi i të gjitha denoncimeve nga qytetarët, që kanë shpjeguar të njëjtin mekanizëm vjedhjeje e të njëjtat karakteristika të autorëve që i kanë sulmuar.