A shkojnë në altar partnerët e të njëjtit seks dhe cili është premtimi që i japin njëri-tjetrit?
Kristi: Po, dhe fjalët që thonë, janë: kur të gjithë të kenë ikur, ti mos ik, të lutem!
Xheni: Të dashurojnë dhe përkushtohen ndaj njëri-tjetrit në të mirë dhe të keq.
Qajnë partnerët gej e lesbike, a mund të presin damarët dhe në ç’rast?
Kristi: Qajnë kur janë vetëm, se kur janë bashkë, qajnë më pak e qeshin më shumë.
Xheni: Sigurisht që qajnë ndryshe nga meshkujt heteroseksualë, të cilët shoqëria heteronormative i ka mësuar dhe imponuar të ngurtësojnë ndjenjat e tyre. Meshkujt gej e dinë mirë që lotët nuk i bëjnë më pak burrërorë, por përkundrazi, ndjenjat i bëjnë të kuptojnë që dimensioni mashkullor ka një gamë shumë herë më të pasur nga ajo çka paraqet shoqëria heteronormative.
Thuhet që dashuritë e të njëjtit seks janë më të vërteta, më të forta…
Kristi: Po, dashuri të tilla në shoqëri si e jona bëhen më të forta, sepse kanë elementin “vështirësi” në mes, madje dhe elementin apo rrezikun e pamundësisë si dikur “Romeo e Zhuljeta”. Oscar Wilde i firmoste letrat e tij të dashurisë; “Always, with undying love, Yours, Oscar”. Pra, me dashuri që nuk vdes, është pasqyra më e sinqertë e një dashurie dhe është gej. Pra, duhet të rrëzohet paragjykimi që gejtë nuk kanë lidhje të qëndrueshme, pasi në fakt është e kundërta.
Xheni: Ne dashurojmë pa doreza, pa ngërçe… Është e vërtetë që, nëse një lidhje heteroseksuale ka konflikte të brendshme, një lidhje e të njëjtit seks, përveç dinamikave të brendshme, duhet të jetë gjithmonë e vëmendshme ndaj sfidave të jashtme.
Çifte të tilla e pranojnë më lehtë tradhtinë, apo janë më dramatikë në këto përjetime?
Kristi: Nuk besoj se ka ndryshim.
Xheni: Tradhtia, xhelozia dhe çdo ndjenjë tjetër është njësoj si në lidhjet heteroseksuale. Varet më shumë nga personaliteti i partnerëve dhe nuk ka lidhje me orientimin seksual.
Kur fillojnë një bashkëjetesë, u intereson buxheti i partnerit? Si e administrojnë buxhetin?
Kristi: Gjithçka e administrojnë dhe e blejnë bashkë. Kur njëri nuk ka mundësi, shqetësimi është i përbashkët. Kjo ka rëndësi të kuptohet, sepse është njësoj si në çiftet hetero.
Xheni: Ndahen përgjegjësitë për të siguruar një lidhje sa më të shëndetshme. Përgjegjësia është e përbashkët, detyrat janë të përbashkëta, por dhe trashëgimia është e përbashkët.
I blejnë çokollata apo lule njëri-tjetrit?
Kristi: I blejnë bileta udhëtimi njëri-tjetrit. Me raste bëjnë dhe libra për njëri-tjetrin ose marrëzira dashurie.
Xheni: Sigurisht, madje kjo është një nga gjërat, që më ka habitur mua më shumë te çiftet gej, fantazia e zhvilluar dhe dëshira për ta surprizuar gjithmonë partnerin përmes dhuratave të vogla që të mbushin.
E respektojnë vjehrrin dhe vjehrrën?
Kristi: Unë njoh çifte në Shqipëri, ku një partner djalë gej shkon shumë më mirë dhe pa komplekse me nënën e djalit tjetër.
Xheni: Po, është e vërtetë kjo gjë ndodh tashmë dhe në Shqipëri.
Mund ta kthejnë dashurinë në miqësi?
Kristi: Po, në miqësi dhe respekt, madje janë miqtë më të mirë të njëri-tjetrit.
Xheni: Sigurisht.
Cila është marrëzia më e madhe që mund të bëjnë çifte të tilla?
Kristi: Edhe gjëja më e vogël që bëjnë për njëri-tjetrin u konsiderohet marrëzi nga shoqëria mendjembyllur. Ç’të bëjnë më shumë, veçse të duan njëri-tjetrin…
Xheni: Po, të dashurojnë nën plumbat e paragjykimeve.
Cila është frika më e madhe e çifteve të tilla?
Kristi: Frika se mos humbasin njerëzit e afërt, gjë që në shumicën e rasteve nuk ndodh, pavarësisht frikës.
Xheni: Fakti që dashuria e tyre do të paragjykohet dhe përçmohet gjithmonë, pavarësisht forcës. Fakti që do shihet gjithmonë si imorale dhe jonormale.
Në krevatin e çifteve gej e lesbike ka më shumë dashuri apo fantazi se te çiftet hetero?
Kristi: Varet nga fantazia personale. Bëhet fjalë ekzaktësisht për të njëjtat gjëra që ndodhin mes çdo çifti.
Xheni: Kështu them dhe unë.
Kush është partneri dominant në lidhje të tilla?
Kristi: S’ka lidhje.
Xheni: Po mirë, te burri dhe femra kush është kryesori, kush vendos? Po këta janë stereotipa të gabuar, se dhe në një lidhje mashkull-femër kryesori nuk është mashkulli.
A janë më të ndjeshëm çiftet e të njëjtit seks?
Kristi: Varet nga tipat.
Xheni: Një lidhje është e shëndetshme kur kapërcehen këto përcaktime dhe vendosen ekuilibrat.
A e përdorin dhunën ndaj njëri-tjetrin?
Kristi: Nuk besoj.
Xheni: Janë më të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit dhe ndjenjave të partnerit.
/Panorama/





