ITALI, 28 prill 2013 – Një ditë pas arrestimit të njërit prej dy shqiptarëve që akuzohen për sulmin me acid ndaj avokates italiane Lucia Annibali, mediat italiane kanë publikuar fotot dhe identitetin e shqiptarit të dytë të akuzuar për këtë akt të rëndë.

Është Rubin Talaban, 31 vjeç, lindur në Shkodër, përsoni që mendohet se ka vënë në jetë sulmin ndaj avokates. Ndërkohë shqiptari tjetër i arrestuar ditën e shtunë, 28 vjeçari Altistin Precelaj mendohet të jetë bashkëpunëtori i Talaban.

Vetë Precelaj ka rrëfyer se e njeh mjaft mirë 31 vjeçarin, që konsiderohet nga policia italiane një kriminel mjaft i rrezikshëm.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Talaban kishte kryer edhe më parë një sulm të tillë me acid, por këtë herë ka lënë të lënduar një agjent policie, të cilit i ka sprucuar acid në këmbë.

Në fillim policia italiane nuk i lidhi me njëri tjetrin dy veprat penale, por gjithsesi kishte shpallur në kërkim Rubin Talaban që akuzohej për plagosjen e një polici.

Dy shqiptarët janë kapur nga kamerat e sigurisë para se të kryenin sulmin. Sulmi me acid është pranuar edhe nga 28 vjeçari i arrestuar një ditë më parë, që në dëshminë e dhënë në polici ka vënë gishtin mbi shokun e tij, si autor i veprës penale.

Sulmi me acid ndaj avokates u orkestrua nga ish i dashuri i saj, edhe ky avokat, i cili pagoi dy kriminelët shqiptarë për të gjymtuar Annibali-n, që e kishte braktisur. Avokati Luca Varani është ndaluar në datë 16 prill nga forcat e rendit, ndërkohë që policia po vazhdon punën për ndalimin e personit të tretë të implikuar me këtë akt të rëndë.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/