DURRES, 28 prill 2013 – I pranishëm në inagurimin e rrugës Shën Vlash – Katund i Ri në Durrës, kryeministri Sali Berisha premtoi se deri më 20 qershor, qeveria do të inagurojë edhe 400 km rrugë të reja. 

“Ndërtuam dhe rindërtuam mbi 8 mijë km rrugë rurale. Por Rama është i tmerruar nga këto ndërtime dhe deklaroi në Shkodër se janë gjithsej 600 km, ja ku jam e ftoj të vijë apo të lexojë në facebook-un tim që nga data 1 prill deri më 20 qershor do inaugurojmë jo më pak se 400 km rrugë të reja. Rrugët i ka tmerr, në Tiranë tha pastaj se janë 1500 km rrugë të ndërtuara, do ti them se nga Konispoli deri në Vermosh po ndërtohen mbi 1500 rrugë të reja”,- tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, kryeministri Berisha replikoi me kryesocialistin Rama në lidhje me deklaratat e këtij të fundit mbi rritjen e ndjeshme të nivelit të papunësisë në vend. Sipas Berishës, Rama flet për 1 milionë të papunë në një kohë kur ka patur një ulje të ndjeshme të papunësisë. 

“Në matematikën e tij të lashtë të Ramiz Alisë del e thotë në mënyrë të papërgjegjshme se ka 1 milionë të papunë dhe harron se në statistikën shqiptare dhe botërore forca punëtore është 1 milionë e 800 mijë. Sipas tij këto shtëpi e këto ara mbijnë vetë e si bën njeri, këto biznese këto rrugë shtrohen vetë, shkollat vetëndërtohen. Përçartje të tilla të janë të padenja dhe primitive. Vendi ka papunësi se kemi dy fqinjë në vështirësi të madhe dhe kriza e tyre pasqyrohet edhe tek ne, por e vërteta është se 10 ditë më parë KE thoshte se në Shqipëri pati ulje të papunësisë me 0,5%”, deklaroi kryeministri.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/