SELANIK, 28 prill 2013- Forcat e policisë në Selanik kanë arrestuar pesë shtetas grekë, anëtarë të një rrjeti kriminal që ishte gati të hidhte në tregun e Greqisë së Veriut dhe më pas të Ballkanit mbi 1 milion dollarë në kartëmonedha të falsifikuara. Pas një operacioni që kishte më shumë se 20 ditë që përgatitej, organet e rendit kanë asgjësuar këtë grup që vepronte në një shtëpi me qira në një prej lagjeve të qytetit verior të Greqisë, ku janë gjetur edhe printerët me të cilët prodhoheshin kartëmonedhat.

Policia ka arrestuar në fillim dy prej falsifikatorëve gjatë një shkëmbimi që ata donin të bënin për një shumë prej 80.000 dollarësh me 20.000 euro dhe më pas ka arrestuar edhe tre personat e tjerë, mes të cilëve edhe një vajzë 32-vjeçe, ka transmetuar TCH. Gjatë aksionit policor janë gjetur dhe konfiskuar 675.000 dollarë në kartëmonedha të falsifikuara prej 100 dollarësh, 15.000 kartëmonedha pothuajse gati për t’u shtypur në prerjen e 100 dollarëshit dhe tetë të tjera për t’u provuar në kartëmonedhën e 500 eurove.

Sipas policisë, bëhet fjalë për një nga rastet më të rëndësishme të asgjësimit të falsifikatorëve të kartëmonedhave në vitet e fundit në Greqi, pasi cilësia e tyre ishte tepër e lartë sa nuk mund të dallohej nga disa prej aparateve të posaçme.

Përveç parave janë gjetur dhe konfiskuar edhe pajisjet e printerëve, lëndë kimike, një kompjuter, telefona celularë dhe dy automjete. Hetimet e policisë po vazhdojnë përsëri pasi dyshohet se një pjesë e madhe e këtyre kartëmonedhave është hedhur në tregjet e vendeve ballkanike.