TIRANE, 28 prill 2013- Një 25-vjeçar në Tiranë nuk e ka përballuar dot faktin se një mikesha e tij në rrjetin social “Facebook” e ka fshirë nga lista e shokëve.Për shkak se dëshironte të komunikonte vazhdimisht me vajzën, 25-vjeçari Arbër Prenga i ka dubluar profilin të dëmtuarës. Ai i ka krijuar një profil të ri në “Facebook” me emrin dhe me fotot e marra nga profili i vajzës në fjalë. Në vazhdim, përmes profilit të “klonuar”, 25-vjeçari i ka dërguar mesazhe shqetësuese dhe foto pornografike vetë vajzës, por edhe personave të njohur të saj. Mesazhe fyese dhe denigruese ai u ka postuar edhe miqve të saj në “Facebook” po nga ky profil fals. Historia në fjalë është regjistruar në gusht të vitit 2011 në Tiranë, kohë kur Arbër Prenga u denoncua nga e dëmtuara Valbona R. Pas kallëzimit ai përfundoi si i pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “falsifikimit kompjuterik”. Pak ditë më parë, Prenga u deklarua i fajshëm për akuzën dhe u dënua me 6 muaj burg. Ai nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli, pasi në përfundim gjykata vendosi lënien e tij në liri me kusht për 2 vjet, kohë gjatë së cilës duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.
PROFILI “KLON”
Referuar vendimit të gjykatës, hetimi ndaj Arbër Prengës nisi pas kallëzimit të të dëmtuarës Valbona R. në gusht 2011 në Drejtorinë e Policisë Tiranë. “Në kallëzimin e paraqitur, e dëmtuara ka përcaktuar se në rrjetin kompjuterik social ‘Facebook’ ka të hapur një faqe personale të saj të titulluar Valbona R. Kallëzuesja ka shpjeguar se në datat 03, 04 gusht 2011 është ftuar për t’u bërë ‘friends’, në adresën e saj nga një faqe tjetër, profil tjetër i quajtur Valbona R. Ky profil në rrjetin kompjuterik ‘Facebook’ nuk ishte krijuar prej saj. Në këtë profil, i quajtur Valbona R., gjendeshin foto që i përkisnin shtetases Valbona R. Këto foto ishin pikërisht fotot, që kallëzuesja i kishte hedhur në faqen e saj të “FB” me emrin Valbona R., dhe mund të shikoheshin edhe nga përdoruesit e tjerë të rrjetit, të cilët nuk ishin ‘friends’ në faqen e saj”, citohej në vendim. Përmes këtij profili që mbante emrin e saj, ajo ka marrë mesazhe ku zotëruesi i profilit pretendonte se e njihte dhe i kërkonte numrin e telefonit. Po sipas kallëzimit, pak ditë më vonë kallëzuesja ka takuar një shoqen e saj, e cila i ka thënë se nga profili “Valbona R.” në FB i kishin dërguar mesazhe fyese dhe të rënda. E dëmtuara i ka sqaruar se profili nuk ishte i saj. Ajo ka shfaqur dyshime se autori ishte i pandehuri, i cili, sipas saj, i kishte krijuar shqetësime në postën elektronike edhe vajzës së saj. “I pandehuri Arbër Prenga ka vazhduar të dërgojë në adresë të kallëzueses Valbona R. foto pornografike dhe të krijojë dhe profile të tjera në emrin e saj”, pohonte Gjykata.
“HAKMARRJA”
“I pandehuri Arbër Prenga ka pranuar faktin se e njeh shtetasen e dëmtuar Valbona R., dhe se kanë qenë në marrëdhënie shoqërore ‘friends’ në rrjetin social FB që prej një viti. Ai ka theksuar se, pasi ka komunikuar disa herë me të dëmtuarën, ajo më pas nuk ka dëshiruar ta kishte ‘friends’ dhe e ka fshirë nga lista. I pandehuri, pas veprimeve të kallëzueses Valbona R., e cila i ka mohuar komunikimin me të, duke dëshiruar që të ketë kontakte me këtë shtetase, pasi është konsultuar me një shokun e tij me njohuri të mira kompjuterike, ka hapur, krijuar, një faqe te re në rrjetin kompjuterik social ‘Facebook’ me emrin e kallëzueses. I pandehuri Arbër Prenga është futur, ka marrë të dhëna dhe fotografi në faqen ‘Facebook’ të kallëzueses Valbona R. duke krijuar faqe të re me fotografi të saj, me emrin Valbona R., me të dhëna të rreme me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në dëm të saj. I pandehuri e ka pranuar këtë fakt gjatë hetimeve dhe gjykimit duke treguar pendim të thellë”, thuhej në vendim.





