TIRANE, 28 prill 2013– Partia, Drejtësi Integrim dhe Unitet ka mbledhur sot Këshillin e saj Kombëtar.
Në fjalën e tij, Shpëtim Idrizi theksoi se PDIU nuk është një parti komunitare, por një parti kombëtariste,
Kjo sipas tij, pasi çështja çame tashmë është një çështje e të gjithë shqiptarëve, dhe sot PDIU ka mbështetjen e të gjithë shqiptarëve.
Sipas Idrizit, PDIU do të arrijë të marrë 5 deri në 7 mandate deputetesh në zgjedhjet e 23 qershorit, duke bërë kështu edhe më shumë për çështjen çame.
Duke iu referuar Aleancës Popullore, partisë së dytë të komuniteti çam në koalicion me PS-në, Idrizi u shpreh duke thënë se askush nuk mund të përçajë komunitetin çam.
“Ata s’mund të përçajnë dot në të majtë dhe të djathtë komunitetin çam, nuk mund të përçajnë dot kauzën tonë.”- tha Idrizi.
Ai akuzoi kreun e PS-së se, duke mos dashur të kuptojë realitetin merret me sulme personale, duke shtuar se, Rilindjes nuk i duhet gjuha e sulmeve personale, pasi kjo është politika e vjetër.
Idrizi tha se PDIU u themelua atëherë kur partitë kombëtariste ishin demode, larg nacionalizmave bajate dhe plot vendosmëri në mbrojtje të vlerave tona, pasi PDIU është dhe do të mbetet në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.
Para se shqiptarët të kërkojnë një bashkim europianist, Idrizi tha se fillimisht do duhet të ngrihen kapacitete integruese mes Kosovës dhe Shqipërisë në gjuhë, kulturë dhe bashkëpunim ekonomik.
Idrizi foli gjithashtu edhe për Ministrinë e Diasporës, për të cilën tha se PDIU do të bëjë presion në qeverinë shqiptare.
Lidhur me Rezolutën Çame, Idrizi theksoi se ka qenë dhe mbetet stacioni më i rëndësishëm i PDIU-së, dhe sipas tij, sot duhet të jemi krenarë që ia dolëm ta miratojmë atë.





