DURRES, 27 prill 2013– Tre piktorë të njohur korçarë, Sotiraq Kuqali, Genti Proko dhe Romeo Kallço, janë prezantuar për artdashësit durrsakë me një ekspozitë të përbashkët të hapur në ambjentet e galerisë së arteve “Nikolet Vasia”.  

Drejtori i kësaj galerie, Edmond Agolli, i pranishëm në çeljen e ekspozitës falenderoi praninë e krijuesve të njohur, ndërsa vlerësoi punimet e tyre duke i ciësuar ato si mjaft interesante për t'u ekspozuar, në këtë prag sezoni turistik në qytetin bregdetar.

Njëri nga piktorët Romeo Kallçi, u shpreh entuziast për ekspozitën e përbashkët, e cila për herë të parë vjen me përmasa të tilla në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë në të njëtën linjë ishin dhe dy kolegët e tij Sotiraq Kuqali dhe Genti Proko, të cilët e cilësuan Durrësin si një qendër të rëndësishme të kulturës dhe traditës, duke e përzgjedhur midis shumë qyteteve të tjera, për ekspozimin e punimet të tyre ndër vite.

Tre piktorët janë prezantuar në këtë ekspozitë të përbashkët me 62 tablo, ku secili prej tyre ka paraqitur individualitetin nëpërmjet penelit.

Pjesa më e madhe e pikturave ishin në gjininë e peizazhit, me tematika të ndryshme, duke filluar nga rrugicat me kalldrëm të qytetit të Korçës, natyra e  deri tek peizazhet e qyteteve të tjera si Sarandës, Ulqini etj. 

Sipas piktorëve eksperienca e viteve të kaluara u ka dhënë atyre  mundësinë për të menduar zgjerimin e gjeografisë për t’i dhënë artit vlerat dhe dimensionet që ai meriton.

Tenika e përdorur nga piktorët është e stilit të lirë e figurativ. Në çeljen e kësaj ekspozite ishin të  pranishëm personalitete të shquara në fushën e pikturës dhe të artit si dhe dhjetra qytetarë durrsakë, të cilët kanë treguar interes për tablotë e ekspozuara.

Ata kanë vlerësuar  talentin e jashtëzakonshëm të tre krijuesve korçarë.

/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/