DURRES, 27 prill 2013– Një taksist është dhunuar, grabitur e mbajtur lidhur, për plot tre orë nga shoku i tij.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 15:30 minuta në lagjen numër 14 Shkozet. 

Isa Xhumani 31 vjeç është telefonuar nga shoku i tij Sabri Verteniku, i cili i kishte kërkuar që të shkonte në banesën ku ai ndodhej, për ta dërguar në spital pasi nuk ndjehej mirë.

Por sapo ka mbërritur në shtëpinë, ku Verteniku i kishte lënë takim, 31 vjeçari është goditur me mjete të forta në kokë, ndërsa më pas autori e ka mbështjellë me një tapet duke e lënë të lidhur. E ndërsa gjendja e taksistit po përkeqësohej si pasojë e goditjes në kokë dhe vesh, autori ka përfituar nga rasti për t’i grabitur sendet personale dhe paratë që mbante me vete, ndërsa më pas ka marrë çelësat e automjetit  taksi tip Benz Mercedes, ngjyrë gri, me  targa Dr 2983 D, të cilin e ka përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Aty pranë ka rastisur një banor i zonës, i cili ka dëgjuar zëra për ndihmë që vinin nga brenda ambienteve të shtëpisë. Banori i zonës ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Fillimisht mësohet se efektivët e policisë i kanë rënë derës, por meqenëse i dëmtuari nuk është përgjigjur e kanë hapur atë focërisht.

Menjëherë pas këtij veprimi patrullat e policisë e kanë transportuar 31 vjeçarin menjëherë në spitalin e Durrësit, në gjendje jo të mirë shëndetësore për shkak të gjakderdhjes së shkaktuar si pasojë e godtijes në kokë si dhe prerjes së njërit vesh.

Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, taksisti mësohet të ketë rrëfyer të gjithë ngjarjen përpara oficerëve gjyqësorë, duke indetifikuar dhe autorin, i cili ishte pikërisht shoku i tij.

I dëmtuari Isa Xhumani mësohet të ketë dëshmuar për hetuesit e çështjes se zanafilla e konfliktit ka nisur pak ditë më parë, në kohën kur autori Sabri Verteniku, i kishte kërkuar ti bënte një shërbim me taksi, pa pagesë. Por refuzimi i Isait, ka nevrikosur autorin, i cili ka vendosur të hakmerret kundrejt tij, duke e marrë peng, dhunuar e grabitur. Menjëherë pas marrjes së dëshmisë policia e Durrësit ka shpallur në kërkim autorin dhe është vënë në ndjekje të tij. Nga policia e Durrësit mësohet se Vetraniku është person me precedent të mëparshëm penal, kryesisht për vjedhje të kësaj natyre, vepra për të cilat ka kryer edhe disa muaj burg. Të njëjtat burime theksojnë se ai ka kryer vjedhje në disa qytete të vendit si Durrës, Elbasan, Berat, etj.

/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/